Media e njohur amerikane “Washington Post” shkruan se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.
Duke iu referuar burime konfidenciale, bëhet e ditur se gjatë kësaj bisede telefonike të realizuar të enjten, Trump i ka kërkuar Putinit që të mos e përshkallëzonte luftën në Ukrainë.
Gjithashtu gazeta amerikane duke iu referuar të njëjtave burime shkruan se Trump i ka kujtuar Putinit fuqinë e konsiderueshme ushtarake amerikane që ndodhet në Europë. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump tha se do të gjente një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës “brenda një dite”, por nuk shpjegoi se si do ta bënte këtë.
Ndërkohë sipas raportimeve të mediave, Trump ka folur edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy të mërkurën. Të premten, Kremlini tha se Putin ishte gati të diskutonte Ukrainën me Trump, por kjo nuk do të thotë se ai ishte i gatshëm të ndryshonte kërkesat e Moskës.
Të mërkurën pritet një takim mes presidentit në detyrë Joe Biden dhe të rizgjedhurit Donald Trump. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, tha se Biden se do t’i kërkojë Trump vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Kjo pasi SHBA nuk duhet të ulë mbështetjen për Ukrainën, dhe se largimi nga ky shtet nënkupton më shumë destabilitet në Evropë.
Tv Klan