Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Takimi i Ministrit të Rendit Spartak Poçi me kryetarin e PD për Tiranën, Vili Minarolli, nuk ka arritur në një pikë kompromisi përsa i përket mitingut që Partia Demokratike do të organizojë më 29 Shtator në sheshin Skënderbej. Poçi i ka kërkuar Minarollit që PD, të zhvillojë mitingun në datën 28, sipas lejes së policisë, por Minarolli deklaron se tashmë data e mitingut është deklaruar.

Vili Minarolli:- “Unë kërkova që të gjenim një formulë mirëkuptimi, zoti ministër tha, unë nga PS kam vendimin që ne nga ora 6 të darkës, do të jemi sheshin Skënderbej. Ne kemi menduar se PS do t’i bëjë mitingjet edhe mitingun e fundit në Pallatin e Kongreseve. Ne e kemi konsideruar njoftimin e drejtorisë së policisë, ose njoftimin e PS, thjesht si një provokim që i bëhet PD, ndonëse jemi në opozitë, jemi në pragun e fitores dhe 1 Tetori do të jetë vërtetë fitorja e PD dhe opozitës shqiptare. Ministri më njoftoi se unë i kam dhënë leje PS dhe nuk iu kam dhënë leje juve, ky ishte njoftimi i ministrit. Tani dhe ne e kemi dhënë njoftimin dhe njerëzit pothuajse janë nisur për të ardhur në sheshin Skënderbej”./tvklan.al