Të vendosur për të shfrytëzuar çdo hapësirë informimi në Parlamentin Europian lidhur me situatën e rënduar të demokracisë, që sipas tyre, po kalon vendi për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës, demokratët vijuan edhe këtë të enjte takimet në Strasburg.
Kolegët e tyre në Strasburg thanë se i njohën me fakte, që provojnë lidhjet e qeverisë me krimin, asgjësimin që ata thonë se Kryeministri po i bën opozitës përmes drejtësisë së re, si dhe artikuluan idenë e qeverisë teknike, si e vetmja mënyrë për t’u rikthyer votën e lirë shqiptarëve.
Kryetarin e Komitetit të Stabilizim të Asociimit BE-Shqipëri, Marco Tarquinio, e informuan se opozita do të vijë me propozime konkrete që ndihmojnë Shqipërinë në rrugëtimin europian, në mbledhjen e SAPC që pritet të zhvillohet në Tiranë.
Gjatë ditës së tretë, deputetët demokratë Gazment Bardhi, Flamut Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi zhvilluan takime edhe me koordinatorin e Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Michael GAHLER, një njohës i mirë i Ballkanit dhe Shqipërisë, si dhe me përfaqësues të grupit parlamentar të Konservatorëve dhe Reformatorëve Europianë.
Ndërkohë që një ditë më parë demokratë krahas protestës që zhvilluan jashtë dyerve të PE-së u takuan edhe me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, si dhe Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në PE-së David McAllister.
Tv Klan