Klodiana Shalën e njohim si një atlete të përkushtuar pas sportit, jetesës së shëndetshme dhe mirëqenies, por këtë herë nuk vjen në “Rudina” në Tv Klan për të folur veç për to. Për herë të parë, ajo shoqërohet nga vëllai i saj, Albani i cili është kthyer pas 22 vitesh nga Shtetet e Bashkuara. Ata kanë një raport shumë të ngushtë dhe të bukur bashkë, detajet e të cilit do t’i ndajnë në këtë prezantim të Albanit që shënon herën e tyre të parë bashkë në ekran.
Klodiana thotë e ajo ka qenë gjithnjë më çapkëne, ndërsa Albani djali i sjellshëm i cili kur shkoi në SHBA, duket se e gjeti veten menjëherë. Ajo përshkruan edhe momentin e ndarjes së tyre.
Rudina Magjistari: Si e ke përjetuar momentin e largimit të vëllait nga shtëpia?
Klodiana Shala: Në fillim kur ka ikur Albani, kanë qenë edhe kohërat pak të vështira. Unë shkova, shkuam të gjithë si familje, ndenjëm, por unë nuk ndenja aq shumë.
Rudina Magjistari: Ku shkuat?
Klodiana Shala: 6 muaj në Greqi,kanë qenë edhe ato trazirat e viteve ’90 dhe unë stërvitesha me një ekip grek, por pastaj përfaqësova Shqipërinë, në ’94 mora pjesë në Lojërat Olimpike Rinore në Angli dhe aty pastaj u shkëputëm. Gjithmonë shkonim shpesh, disi të bën jeta që mësohesh pastaj.
Në shkollë shkonin gjithnjë bashkë, por në kthim Albani shkonte menjëherë në shtëpi, ndërsa Klodiana ‘zhdukej’ në ndonjë pistë. Albani ndalet edhe te një nga episodet më të bukura të fëmijërisë së tyre.
Alban Shala: Një nga kujtimet më të bukura ka qenë, nuk e di se kush vdiq nga familja dhe që të na largonte babi që mami të merrej me ata, na mori mua dhe Klodin, na çoi te Shkëmbi i Kavajës, ku ka qenë atëherë plazhi.
Klodiana Shala: Unë s’mbaj mend.
Alban Shala: Por babi nuk e duronte diellin fare dhe rrinte poshtë pemëve, bërtiste “kujdes, mos u digj, hajde këtej, dil andej”.
Klodiana Shala: Ka qenë momenti kur kemi qenë me babin?
Alban Shala: Po.
Klodiana Shala: Epo prandaj se është larguar babi dhe tani Albani ndihet më keq, ka ato kujtimet më të forta të babit.
Duke qenë se kanë vetëm 3 vite diferencë, ata janë rritur si shokë.
Alban Shala: Pavarësisht se jemi motër e vëlla, ne gjithë jetën kemi qenë si shokë. Gjithmonë, nuk fshihnim asgjë nga njëri-tjetri, gjithmonë ia tregonim, gjithmonë flisnim.
Klodiana Shala: Ne i tregojmë çdo gjë njëri-tjetrit. Në fakt duhet të jetë merita e babit dhe e mamit, jemi të vërtetë, çfarë bëjmë e themi, nuk jemi si shumica që rrinë i fshehin gjërat. Ne edhe kur themi kemi bërë këtë gabim ose kemi bërë këtë gëzim, e themi ashtu siç është, nuk dimë të fshehim./tvklan.al