Mbi 150 persona mund të kenë humbur jetën pasi varka me të cilën lanë brigjet e Libisë u përmbyt. Të paktën 150 persona të tjerë u shpëtuan nga peshkatarët dhe u kthyen në Libi nga roja bregdetare.
Sipas BBC, nuk është e qartë nëse emigrantët ishin në një apo dy varka. Ata ishin nisur nga qyteza al Khoms, rreth 120 kilometra në lindje të Tripolit.
Nëse konfirmohet, kjo do të ishte fatkeqësia më e rëndë në ujërat e Mesdheut për këtë vit. Të paktën 65 emigrantë vdiqën në Maj pasi anija e tyre u fundos në brigjet e Tunizisë. 16 persona mbijetuan.
Sipas të dhënave të UNCHR, rreth 164 persona vdiqën rrugës mes Libisë dhe Egjiptit në 4 muajt e parë të 2019-s. Me mijëra emigrantë tentojnë të kalojnë Mesdheun për në Europë çdo vit dhe Libia është vendnisja kryesore.
Ata udhëtojnë shpesh në anije të tejmbushura dhe në gjendje të keqe dhe shumë kanë gjetur vdekjen. Por që prej mesit të vitit 2017 numri i emigrantëve që zgjedhin këtë rrugë ka rënë në mënyrë dramatike.
Rënia ka ardhur kryesisht pasi Italia ka angazhuar forcat libiane që të ndalojnë emigrantët që të nisen nga Libia, apo t’i kthejnë në këtë shtet kur i gjejnë në det.
Në 3 muajt e parë të 2019-s, rreth 15,900 refugjatë e emigrantë erdhën në Europë nëpërmjet Mesdheut, një rënie me 17 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë në 2018-n./tvklan.al