Emisioni Opinion në Tv Klan mbrëmjen e sotme ka trajtuar temën e shqiptarëve nëpër botë ku mes tyre në një lidhje direkte në emision ishte edhe Edona Hima e cila është një shqiptare që punon si stjuardese në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Edona gjatë fjalës së saj shprehet se puna si stjuardese është përvoja më e mrekullueshme deri më tani në jetën e saj edhe pse ka lodhjet e saj si çdo punë. Teksa u pyet nëse e mendon rikthimin e saj në Shqipëri ajo u shpreh se do kthehet me patjetër ku do të vazhdojë karrierën e saj në fushën juridike.
Blendi Fevziu: Edona ti punon stjuardese në fluturime të gjata apo të shkurtra nga Dubai?
Edona Hima: Të gjitha i bëjmë. Më i gjati ka qenë në Okland, 17 orë. Është linjë direkt, nga Dubai në Okland.
Blendi Fevziu: Si ri ti 17 orë në këmbë?
Edona Hima: Ligjërisht duhet të pushojmë dhe kemi një dhomë të caktuar për të pushuar dhe aty mund të kalojmë 4, 5 orë në varësi të fluturimit.
Blendi Fevziu: Sa ditë qëndron në qytet?
Edona Hima: Në Okland kemi 56 orë, por është shkatëruese për orën biologjike.
Blendi Fevziu:Si u gjende në Dubai dhe aq më shumë tek Emirates Airline?
Edona Hima: Ishte hera e parë që aplikoja për një pozicion të tillë. Kisha një mikeshë që më drejtoi. U paraqita, kalova fazat që përqëndrohen në punën në grup dhe kalova në fazën e intervistës dhe më kaluan. Është interesante sepse sot është dita që u zhvendosa në Dubai.
Blendi Fevziu: Po përpara kishe lidhje me aviacionin?
Edona Hima: Unë kam jetuar në Stamboll për 10 vite dhe kam punuar për Turkish Airlines për departamentin ligjor për shkak se unë kam mbaruar studimet për drejtësi dhe e kaluara ime me aviacionin ishte kjo. Është përvoja ime e parë dhe deri më tani përvoja më e mrekullueshme.
Blendi Fevziu: Është e lodhshme përveçse e bukur që të zgjohesh gati çdo ditë në një vend të ri?
Edona Hima: Është e lodhshme, por ka bukuritë e veta sepse je gjithmonë në lëvizje, duke njohur njerëz të rinj, kultura të reja, shikon vende. Si çdo punë ka lodhjet e veta, por në përgjithësi është shumë e bukur.
Blendi Fevziu: Është e vërtetë që Emirates ka grupin e stjuardëve nga të gjitha vendet e botës, pra një miks kombësish.
Edona Hima: Po është shumë e vërtetë në Emirates punojnë njerëz nga 160 vende të botës dhe janë diku rreth 105 mijë punonjës dhe është një minibotë e vogël.
Blendi Fevziu: Çfarë të mungon nga Shqipëria Edona?
Edona Hima: Më mungojnë shumë gjëra. Më mungon famija, ajo ngrohtësia familjare, shoqëria, mbështetja, por jo që se kam gjetur këtu. E kam shumë të lehtë të adaptohem, por asnjë vend sado i bukur të jetë nuk ta ngroh zemrën sa vendi ku je rritur.
Blendi Fevziu: Besoj e mendon rikthimin në Shqipëri?
Edona Hima: Sigurisht që po sepse unë kam edhe një karrierë tjetër ligjore dhe mendoj që në të ardhmen patjetër që do kthehem në Shqipëri.
Blendi Fevziu: Ka komunitet shqiptar në Dubai? Unë e di po ta bëj pyetjen ta konfirmosh ti.
Edona Hima: Në Dubai ka shumë nga të gjitha trevat. Ka shumë shqiptarë që janë zhvendosur këtu dhe kanë bizneset e tyre. Por ne kemi një komunitet të madh në Emirates të shqiptarëve.
Blendi Fevziu:Sa shqiptarë ka në Emirates?
Edona Hima: Nuk e di saktësisht numrin, por ka goxha./tvklan.al