Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar sanksionet për 30 ditë ndaj kompanisë serbe të naftës NIS.
Lajmi u bë i ditur nga një postim në rrjetet sociale i Presidentit Aleksandër Vuçiç i cili citoi një dokument të Thesarit të SHBA shkroi: ‘Ky është një lajm i mirë për qytetarët e Serbisë”.
Një shtyrje e sanksioneve do të ishte një lehtësim për Serbinë. NIS furnizon rreth 80% të tregut të brendshëm me pakicë me naftë bruto dhe gaz. Nëse do të vendoseshin sanksione, ajo nuk do të ishte në gjendje të importonte naftë bruto përmes operatorit kroat të tubacionit Janaf.
Sanksionet u vendosën ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, për shkak se kompanitë ruse gëzojnë shumicën e aksioneve të saj.
Sipas të dhënave zyrtare, Gazprom Neft dhe Gazprom gëzojnë 56.15 për qind të pronësisë së gjigantit NIS, ndërsa 29.87 për qind është në pronësi të Serbisë.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e kanë futur Gazprom Neft-in në listë të zezë që nga 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Serbia është e varur nga Rusia në sektorin e energjisë, por ka marrë masa për të diversifikuar rrugët e furnizimit. Marrëveshja e fundit për furnizim me gaz, e nënshkruar nga Vuçiç dhe Presidenti rus, Vladimir Putin, në Maj të vitit 2022, skadon në mars të vitit 2025.
Klan News