Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme intervistën me artistin dhe piktorin e njohur Gazmend Leka.
Në lidhje me situatën e izolimit dhe si ndikoi kjo në jetën e tij të përditshme, ai u shpreh se para karantinës vinte çdo ditë në studion e tij dhe largohej prej saj në mbrëmje.
Por pas pandemisë gjithçka ndryshoi sepse nëna e tij, 87 vjeç kishte frikë dhe për hatër të saj, ai u izolua brenda.
Por edhe në shtëpi, piktori nuk la pas dore punën dhe pasionin e tij.
Gazetarja: Një artist e thyen karantinën për pasionin e tij, si ka ndodhur me ju?
Gazmend Leka: Në fillim, para se të bëhej kjo mbyllje totale, unë vija në studio, vija përditë në studio, dilja në darkë si gjithmonë. Por pati një moment që u tha se këto dy javë do jenë javë të egra dhe mund të ketë një shpërndarje shumë të madhe të virusit. Por sigurisht është e vërtetë dhe ajo që thatë, që pasioni tjetrin mund ta bëjë që të rebelohet. Unë nuk u rebelova dy javë, por një gjë që më ngacmoi më shumë ishin sytë e nënës, e cila kishtë shumë frikë kur unë dilja për të ardhur këtu dhe më thoshte që Gazi ki kujdes se këto dy javë janë shumë të egra, siç kemi dëgjuar. Ajo është 87 vjeç dhe e kishte një lloj frike, për hatër të saj unë u bllokova në shtëpi dy javë. Por u mora më punë në shtëpi, nuk ishte se unë rrija në shtëpi edhe mos bëja absolutisht asgjë./tvklan.al