Të dënuar me vendim të formës së prerë në vendin tonë janë 2239 persona, ndërsa të paraburgosur 3150, një raport i zhdrejtë krahasuar me standardet evropiane.
I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, analisti Lorenc Vangjeli shprehet se me këtë lloj mendësie, ku numri i të paraburgosurve është më i lartë se i atyre të dënuar me vendim të formës së prerë, po prodhojmë kriminelë dhe po këpusim degët ku jemi ulur.
Lorenc Vangjeli: Sipas parametrave të Evropës, duhet të ishin jo më shumë se 700 apo 800 të paraburgosur. 22 milionshi nuk më duket asgjë në krahasim me dramën e pafundme të atyre njerëzve, të cilët po të jetonin në Hamburg apo Bruksel do të ishin në liri dhe do të prisnin gjykimin e tyre në masa alternative sigurie, ne i fusim në burg që e kanë kapur me 2 cigare hashash, që ka luajtur loto në telefon apo ku di unë çfarë, trajtohet njësoj si ai që… Në këtë vend ku paraja është perëndi, kjo bën përshtypje. Askush nuk mund të llogarisë dramën e familjarëve dhe faktin që ne prodhojmë kriminelë. I plasin aty brenda dhe i dënojnë me kohën e paraburgimit duke fshehur një konspiracion kriminal të të gjithë hallkave të sistemit. Secili nga ata është njeriu që do të marrë gomonen e damkosur nga shoqëria dhe do të ikë andej dhe askush nuk e mendon atë.
Mentaliteti jonë kriminal thotë “burg, burg”. Një histori që ka vite me radhë që e flas. Nuk është të mbrosh kriminelë. Forca e një shoqërie matet me mënyrën si trajton hallkën më të dobët. Ne prodhojmë kriminelë dhe politika i shikon si mbetje njerëzore dhe nuk u jep asnjë fond. Askush nuk u jep zë atyre të mjerëve dhe kur u japin zë, askush nuk do ja dijë, ata njerëz që na qeverisin e kanë mendjen tek Lekët. Nuk ka çmim ajo që po prodhojmë. Me mendësinë tonë, ne po presim degët ku jemi ulur, prodhojmë emigrantët dhe banditët. Kriminelët e vërtetë zakonisht mbajnë kravatë. Në këtë kohë kur çmimi i metrit katror, qoftë në kulla, qoftë në ndërtime luksoze, ka filluar të rritet, do të rritet dhe metri katror i qelisë.
/tvklan.al