Kjo kërkesë e Gazment Bardhit për të rikthyer në grupin parlamentar, të përjashtuarit dhe ata të lënë jashtë liste nga Lulzim Basha, ka krijuar polemikën e radhës mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Partisë Demokratike. Shkak është bërë Sali Berisha, emri i të cilit nuk figuron në radhët e deputetëve të grupit të PD.
Në faqen zyrtare të Kuvendit, emri i ish-kryeministrit është në listën e deputetëve jashtë grupeve parlamentare. Por rreth 3 vite më parë, në 13 shtator 2021, Sali Berisha u vetëdeklarua si pjesë e grupit të PD, duke depozituar edhe një shkresë në Kuvend.
Kjo lëvizje e ish-kryeministrit nuk është konsideruar nga institucioni i Kuvendit, pasi në kërkesën e Gazment Bardhit, është marrë në konsideratë rikthimi në grup vetëm i deputetëve të përjashtuar, por jo të atyre që janë vetëdeklaruar, si në rastin e ish-kryeministrit Berisha.
Për këtë vendimarrje, institucioni i Kuvendit jep këtë argument:
Në datën 9 prill 2024 Kuvendi është njoftuar nga z. Gazment Bardhi mbi “Revokimin e të gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj legjislature.” Deputeti Sali Berisha, prej fillimit të legjislaturës, nuk ka qenë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Të pakënaqur nga kjo vendimarrje e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi pritet të depozitojë sërish një kërkesë të enjten në seancë plenare, duke kërkuar që të merret në konsideratë e plotë, dhe duke e rikthyer Sali Berishën në grupin parlamentar të PD.
Klan News