Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia e Durrësit arrestoi rreth orës 7 të mëngjesit të sotëm Kastriot Mollën 26 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në fshatin Rrushkull të Durrësit. Në vitin 1994, ai kishte vrarë me armë zjarri 12 vjeçarin Aleksandër Gjeta.

Burimet policore bëjnë të ditur se vrasja ka ndodhur për motive mjaft banale. I vëllai i Aleksandër Gjetës kishte ngacmuar të motrën e Kastriot Mollës dhe ky i fundit në shenjë hakmarrje kishte vrarë djalin e vogël. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Malaj të Mirditës.

Mos arrestimi i Mollës për vrasjen e kryer, i dha udhë një tjetër vrasje. Në vitin 1996, babi i Aleksandërit, Frrok Gjeta ka marrë hak, duke vrarë një nga vëllezërit e Kastriotit. Gjykata e shkallës së parë e Mirditës, e kishte dënuar Kastriot Mollën në mungesë me 12 vjet e 6 muaj burg. Prej disa kohësh ai fshihej tek vëllai i tij në fshatin Rrushkull të Durrësit./tvklan.al