Emisioni “Opinion” në Tv Klan është fokusuar te të rinjtë në politikë. Ermand Mertenika vjen nga formacioni i Partisë Socialiste dhe në profesion është inxhinier fizikant biomjekësor. Ai ka 20 vite karrierë, por thotë se është frymëzuar nga integrimi i Elon Musk në sistemin e Trump dhe mendon se përmes politikës mund të ndikojë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
Ermand Mertenika: Unë vij nga një sektor i teknologjisë, bioteknologjia, inxhinier fizikant biomjekësor dhe e shikoj këtë pjesë shumë të rëndësishme…
Blendi Fevziu: Pse e le ti fizikantin biomjekësor dhe të merresh me politikë?
Ermand Mertenika: Jo, ideja dhe koncepti është rëndësia sepse ne po e shikojmë aktualisht globalisht që teknologjia sot, bioteknologjia duke filluar që nga Elon Musk…
Blendi Fevziu: Po në Amerikë po marrin teknologë në vend të politikanëve, ti..
Ermand Mertenika: Po shikoj pikërisht pra mënyrën e integrimit të Elon Musk, pionerit të teknologjisë në politikën e Trump. Unë e shikoj si një risi në sensin që politikën e shikoj si një pasion, por edhe si një përgjegjësi që ne jemi të fokusuar më shumë në sektorin mjekësor, sesi mund të përmirësojmë, të asistojmë, të krijojmë projektligje në shërbim të pacienëve, qytetarëve, të dëgjojmë zërin e qytetarëve apo të pacientëve të ndryshëm dhe të jemi një forcë në parlament për të asistuar.
Blendi Fevziu: Sa kohë ke që ke punuar, që je marrë me profesionin tënd?
Ermand Mertenika: Kam pothuajse më shumë se 20 vjet si ekspert i IT dhe i fokusuar më shumë te inxhinieria biomjekësore fizike.
Blendi Fevziu: 20 vjet karrierë, të qenka mërzitur puna më duket!
Ermand Mertenika: Jo, ideja është që unë faktikisht e shikoj më shumë që t’i ushtroj të dyja. Politika mendoj unë është si një aset që ne mund të asistojmë, të përmirësojmë.
Blendi Fevziu: A beson vërtet te politika se duket sikur pjesa më e madhe e të rinjve e shohin si një mundësi për të ecur pak shpejt në karrierë? Gjysma përfundojnë te SPAK-u, gjysma marrin rrugën për në Durrës…
Ermand Mertenika: Politikën unë e shikoj si një koncept ku kemi të bëjmë me diplomacinë, por edhe që të përfaqësojmë, të jemi një zë i fortë i të rinjve në parlament për të përfaqësuar problematikat që qytetarët, pacientët kanë dhe sesi mund të përmirësojmë me anë të projektligjeve të ndryshme./tvklan.al