Një nga dëshirat që kishte korçari Artur Jahja që në vitin 1991 ishte që të emigronte në Afrikë të Jugut. Kjo dëshirë ju realizua pak vite më pas, pasi kaloi së bashku me vëllanë shtet më shtet me qëllimin për të prekur tokën afrikane, ku jeton prej 30 vitesh së bashku me familjen e tij. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Jahja ka treguar se atmosfera që gjeti në Afrikë të Jugut ishte fantastike, gjë që e bëri të qëndrojë atje.

Artur Jahja, Johanesburg, Afrika e Jugut: Në Janar 1991 jam larguar nga Shqipëria. Isha oficer. Fillimisht kaluam në Greqi, kaluam në ishull grek. Para se të ikja në Greqi, të gjithë thonin që do të iknim në Itali ose Greqi, kur më pyesnin mua, unë thoja që do të iki në Afrikë të Jugut. Kam lexuar dhe me pëlqen shpirti aventurier. 1 vit e gjysmë ndenja në Greqi. Me vëllanë ishim në ishuj të ndryshëm. Kaluam nga Greqia shtet më shtet në Zamia, Zimbabve, Sierra Leon dhe mbërritëm në Afrikë.

Blendi Fevziu: Si t’u duk realiteti afrikan në atë kohë që vije nga e gjithë ajo Shqipëri e mbyllur?  

Artur Jahja: Ishte shokuese. Afrika e Jugut ishte periudha që po kalonte në regjimin e ri, nga të bardhët në të zinjtë dhe ishte gjendje shumë fantastike dhe na bëri të qëndrojmë këtu. Atmosfera ishte shumë entuziaste dhe të bënte për vete. Në Greqi kishte racizëm, të bënte të mos rrije dhe mund të them me plot gojën ka nga plot bota këtu dhe nuk ka paragjykim je shqiptar apo…

Artur Jahja ka treguar se ka takuar Mbretin Leka në Afrikë të Jugut, për të cilin thotë se ishte shumë i thjeshtë, larg asaj që ai mendonte.

Blendi Fevziu: E takove Mbretin Leka apo jo?

Artur Jahja: E takuam disa herë.

Blendi Fevziu: Si jetonte në Afrikë të Jugut?

Artur Jahja: I thjeshtë ishte. Kisha përshtypjen se Mbret, po shumë i thjeshtë.

“Shqiptarin mund ta largosh ng Shqipëria, por jo Shqipërinë nga shqiptari”, kështu shprehet Jahja, i cili thotë se edhe fëmijët e tij janë në çdo qelizë të trupit shqiptarë.

Artur Jahja: Gruan e kam shqiptare nga Shkodra. Fëmijët janë lindur dhe kanë jetuar në Afrikë të Jugut. Fëmijët janë shqiptarë në çdo qelizë të trupit të tyre. Shqiptarin mund ta largosh nga Shqipëria, por Shqipërinë nuk mund ta largosh nga shqiptari. Korçari mund të ikë nga Korça, por Korça nuk ikën nga korçari.

Më tej, në rrëfimin e tij, Jahja ka treguar si është integruar në jetën e Afrikës së Jugut.

Artur Jahja: 30 vjet në Afrikë të Jugut. Fillimisht fillova në hotel, më pas filluam në restorant. Pasi vëllai iku në Amerikë, tani merrem me lojërat e fatit. Tani që fëmijët u rritën, unë me gruan ndajmë kohën gjysëm këtu, gjysëm në Shqipëri. Vij gati çdo vit në Korçë.

Jahjas në Afrikë të Jugut i mungojnë shumë mbledhjet me shokët që bënin darkave.

Artur Jahja: Ato mbledhjet që bënim me shokët darkave, nuk i ke këtu. Nuk të mungon gjë këtu, por ato nuk i ke këtu dhe sa më shumë që kalojnë vitet, aq më shumë i kujton.

Por çfarë do t’i thoshte ai një shqiptari për emigracionin?  

“Nuk është aq e lehtë sa duket, zgjedhja është e jotja. Por si Shqipëria, si vendi ku ke lindur nuk ka në botë”, shprehet ai.

/tvklan.al