Iniciativa “Transparent Albania”, u prezantua në forumin “Ndërtimi i Besimit: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së për qeverisje transparente”, organizuar në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së në Shqipëri. Në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama nënvizoi se kjo është një urë e re besimi mes institucioneve dhe qytetarëve.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Bëhet fjalë për një instrument të ri, bëhet fjalë për një platformë të re, bëhet fjalë për një urë të re lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve.

Gjithashtu Rama dha lajmin se Shqipëria është kandidate për të qenë vendi mikpritës i “World Law Congress”, një forum botëror me një reputacion dhe prestigj të jashtëzakonshëm.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Zgjedhja e Shqipërisë si një ndër kandidatët për të marrë mikpritjen e World Law Congress lidhet padiskutim me imazhin tërësisht të ri të Shqipërisë dhe me vlerësimin botërisht konsensual të gjithçkaje që Shqipëria ka bërë në këtë dekade.

Sipas Ministrit të Financave, Petrit Malaj institucioni që ai drejton në mënyrë të vazhdueshme ka rritur transparencën ndaj publikut.

Petrit Malaj, Ministër i Financave: Sot, të gjitha dokumentet kryesorë buxhetorë, si dhe raportet e performancës financiare dhe jo financiare publikohen periodikisht duke i garantuar publikut akses në çdo kohë.

Ndërsa Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, foli për forcimin e integritetit për shërbimet ndaj qytetarëve.

Silvio Gonzato, Ambasador i BE në Shqipëri: Ky aktivitet i sotëm shërben për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të forcuar integritetin në të gjitha nivelet e administratës shtetërore dhe në sektorin privat. Shqipëria ka miratuar udhërrëfyes dhe agjenda në reforma që kanë të bëjnë me gjyqësorin, me administratën shtetërore dhe klimën e biznesin. Ne presim që sektori privat të jetë pjesë e zbatimit të këtyre reformave.

Platforma “Transparent Albania” pritet të transformojë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me institucionet publike, duke ndërtuar besim dhe reflektuar përkushtimin e qeverisë për “Shqipëria 2030”.

Klan News