Princi Andrew i Britanisë është vendosur sërish në titujt e parë të gazetave britanike dhe si dhe mediave pas zbulimeve se një bashkëpunëtor i ngushtë është spiun kinez. Andrew ka bërë të ditur në një deklaratë se ka ndërprerë çdo kontakt me biznesmenin e akuzuar. Në një deklaratë, zyra e tij tha se Princi Andrew e kishte takuar personin “përmes kanaleve zyrtare” dhe se “asgjë e një natyre të ndjeshme nuk është diskutuar ndonjëherë”.
Spiuni i dyshuar, i njohur vetëm si H6, sipas burimeve nga qeveria britanike përbën një rrezik për sigurinë kombëtare sepse autoritetet dyshonin se ai po punonte për të krijuar kontakte të ngushta me figura të shquara britanike. Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper tha se qeveria do të jetë gjithmonë e gatshme për të ndërmarrë veprime për çdo lloj kërcënimi për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërkaq The Telegraph shkruan se paratë kineze që i janë dhënë Dukës po hetohen nga shërbimet e sigurisë, bën të ditur. Dyshimet janë se Princi Andrew ka marrë para nga donatorë kinezë, me lidhje me spiunin të dyshuar të partisë komuniste. Mbreti ishte vënë në dijeni për hetimin e agjencisë britanike të inteligjencës ndaj vëllait të tij dhe lidhjet e tij me agjentin e dyshuar kinez përpara se të dilnin faktet që ekspozuan miqësinë e tyre.
Sidoqoftë, rasti ngre pyetje serioze për jetë luksoze të Princit që përfshin mirëmbajtjen në Royal Lodge, shtëpinë e tij me 30 dhoma në Windsor dhe sigurinë e tij private. The Telegraph shkruan se Buckingham Palace nuk ka fuqi, autoritet apo të drejtë ligjore për të kontrolluar financat e tij.
Londra dhe Pekini kanë shkëmbyer vazhdimisht akuza për spiunazh, me shërbimet britanike të sigurisë që paralajmërojnë për përpjekjet kineze për të depërtuar në sferat politike, biznesore dhe akademike. Ambasada kineze në Londër e përshkroi rastin e spiunit kinez si një përpjekje tjetër për të sabotuar marrëdhëniet normale të punës.
Prince Andrew ka qenë gjithnjë nën syrin e mediave për skandalet e tij përfshirë miqësinë e tij me Jeffrey Epstein dhe akuzave për sjellje të pahijshme seksuale. Ai u detyrua të tërhiqej nga roli i ambasadorit të tregtisë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2011, përpara se të hiqte dorë nga të gjitha detyrat mbretërore në vitin 2019.
Klan News