Minsitria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për ndërprerjen e njëanshme të kontratave për 8 hidrocentrale të vegjël. Lajmi u publikua në një deklaratë për shtyp nga zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Hantin Bonati, i cili tha se deri tani janë skanuar 54 kontrata, 8 prej të cilave kanë rezultuar me shkelje të rënda.
“Aktualisht kanë kaluar procesin e skanimit 54 dosje, 8 prej të cilave kanë rezultuar me probleme të mëdha dhe shkelje të kushteve kontraktuale, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës”.
Tashmë mbetet verifikimi i 290 hidrocentraleve të tjerë. Shkeljet më të rënda që janë konstatuar deri më sot janë mospërmbushja e afateve për përfundimin e punimeve dhe shkelje të lejeve mjedisore dhe ndërtimore.
“Ndër problematikat kryesore të konstatuara nga kontrolli i deritanishëm mund të përmendim: Mosrespektim të afateve kohore proceduriale; Mosrespektimin e kushteve dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara, qofshin të aspektit ndërtimor, mjedisor, financiar etj”.
Ministria nuk i bëri publikë kontratat e hidrocentraleve të cilat do të prishen, ndërsa tha se procesi i prishjes së tyre do të kërkojë kohë, në mënyrë që shteti të mos ndëshkohet me barrë financiare për shkelje të procedurave nga një kontestim i mundshëm i këtij vendimi në gjykatë.
Tv Klan