Më 26 Nëntor, Tirana duhet të jetë në duart e qytetarëve dhe jo të qeverisë. Kështu u shpreh kryetari i PD, Sali Berisha gjatë takimit online të mbajtur këtë të shtunë me drejtuesit politik të qarqeve lidhur me aksionin që sipas tij është pjesë e mosbindjes civile.
Sali Berisha, Kryetar i PD: Kërkoj nga ju, nga kryetarët e degëve, kryesitë e degëve, anëtarët e kryesive, kryetarët e grupseksioneve, anëtarët e grupseksioneve dhe mbështetësit tanë, një mobilizim të jashtëzakonshëm në mënyrë që Tirana me datë 26 të jetë e tëra në duart e qytetarëve dhe jo të qeverisë. Mosbindja civile e ditës së martë, marshimi në Tiranë, duhet të jetë një triumf i vërtetë i revoltës, i zemërimit, i shpirtit të pamposhtur të qytetarëve në kryeqytetin e tyre. Ndaj dhe, të nderuar drejtues politikë të qarqeve, duhet marrë çdo masë për një dyndje masive të opozitarëve në Tiranë.
Më tej ish-kryeministri në këtë mbledhje të cilësuar si urgjente u shpreh se 3 ditë kohë janë mjaftueshëm për të mobilizuar të katër anët e Shqipërisë, për të vërshuar në Tiranë.
Kreu i PD u ndal dhe tek rezoluta e CDI dhe PPE, që sipas tij janë përmbysur plotësisht në favor të demokratëve, pas qëndrimeve që selia blu ka mbajtur ndaj mazhorancës qeverisëse.
Duke e rikthyer sërish vëmendjen tek tubimi i thirrur të martën, Berisha kishte dhe një mesazh për policinë, ku i parlajmëroi të mos prekin asnjë protestues të zemëruar.
Tv Klan