Partia Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni mbajti një protestë në Tetovë me moton “Stop dhunës”, duke reaguar kështu ndaj atentatit të kryer ndaj Ali Ahmetit. Përfaqësuesit e BDI-së u shprehën se atentati ka revoltuar rëndë shqiptarët dhe është kulmi i brutalitetit shtetëror dhe partiak që po instalohet me fillimin e fushatës parazgjedhore.

Në fjalën e tij kreu i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se është kundër vrasjeve dhe incidenteve në këtë fushatë. Ai bëri thirrje për të ecur drejt së ardhmes dhe për t’i thënë po shqiptarisë.

Ali Ahmeti: “Jemi mbledhur sot këtu për t’i thënë PO së ardhmes, jemi mbledhur sot këtu për t’i thënë po shqiptarisë. Mjaft terrorit psikologjik, jemi mbledhur këtu për të thënë që nuk ka forcë që tremb, që largon nga rruga e amaneteve të mëdha”.

Ndërkaq në mbrëmjen e së hënës policia maqedonase arrestoi Farruk Iljazin që dyshohet se është një ndër autorët e atentatit ku mbeti i plagosur një 24-vjeçar. Vetë Ahmeti i cili i shpëtojë falë makinës së blinduar, akuzoji strukturat e ministrisë së brendshme, kryeministrin Nikola Gruevski dhe njerëz pranë PDSH të Menduh Thaçit./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle