Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Vazhdojnë protestat e tregtarëve ambulant të mbetur pa strehë në Durrës, që kur bashkia mori vendim të pastrojë trotuaret e qytetit nga shitësit ditor, janë me qindra ata që mbetën të papunë. Ndërsa vendi i përcaktuar, ish-URT-ja, do dhe dy-tre muaj që të bëhet gati, shumë prej tyre sidomos tregtarët e gabit, janë kthyer përsëri tek vendi i vjetër. Sot për paralajmërim tek ata shkuan policët dhe funksionari i bashkisë, në rast mosbindje do të ndërhyjnë forcat e rendit.

Kryebashkiaku i Durrësit, Miri Hoti, ka menduar, që përkohësisht tregtarët e gabit të strehohen brenda ish-parkut sportiv, që aktualisht nuk përdoret. Ky ambient ndodhet në qendër të tregut të legalizuar nga bashkia. Një favor tjetër është edhe rrethimi me mure, megjithatë tregtarët akoma nuk kanë vendosur të përdorin këtë hapësirë, e duket së për këtë do të duhet patjetër ndërhyrja e policisë./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori