Duket se asnjë informacion nuk të përgatit për emocionet e fuqishme që pëson gjatë mëmësisë, edhe në ngjarjet më të vogla. Moderatorja Hilda Gorica kujton kthimin në shtëpi pas lindjes së vajzës kur sfida shkrihej me lodhjen. Ajo ndan me “Shije Shtëpie” në Tv Klan një episod që në një rast tjetër do tingëllonte fare i zakonshëm, por në atë moment perceptohet ndryshe.

Hilda Gorica: Procesi i gjidhënies për ne nuk ka qenë shumë i vështirë. Pata lindje me operacion, por qumështi më erdhi menjëherë. Problemi që patëm është që Gaia nuk po e kapte dot dhe 2-3 ditët e para kanë qenë shumë sfiduese për mua, unë u ngarkova shumë emocionalisht. Imagjino, natën e parë që kemi shkuar në shtëpi arrita të pompoja një biberon me qumësht i cili ndoshta ngaqë isha shumë e lodhur, pa dashje, e shtyva me dorë dhe m’u derdh.

Katerina Trungu: E dhimbshme duhet të jetë emocionalisht.

Hilda Gorica: Unë kam qarë gjithë natën sepse më dukej sikur tani u derdh ajo, unë nuk do ta ushqej dot gjatë natës, si do mbijetojmë?

Nisur nga këto episode të vogla, moderatorja shton se është shumë e rëndësishme prania dhe mbështetja e partnerit. Sigurisht, nuk pritet që ai të kujdeset për gjithçka rreth shtëpisë, por ka një mori metodash se si mund ta bëjë më të lehtë jetën e nënës së re.

Hilda Gorica: Një mami e re ka shumë nevojë që të ushqehet, nuk gatuan dot vetë sepse kujdeset gjatë gjithë kohës për bebin, por ndërkohë duhet të ushqehet sepse lodhet, ushqen me gji kështu që është shumë e rëndësishme që dhe ajo të jetë e shëndetshme.

Katerina Trungu: Unë e kam pak të vështirë ta imagjinoj Flavion duke bërë punë shtëpie.

Hilda Gorica: Punë shtëpie nuk ka bërë shumë, aq sa mundej por për të gatuar na ka shpëtuar jetën.

Katerina Trungu: Vërtet? Di të gatuajë Flavio? Bravo!

Hilda Gorica: Ka mësuar.

Po të njëjtin mendim me Goricën ndan edhe Klaudia Karabolli. Edhe ajo rrëfen një moment pas kthimit në shtëpi kur duhej të qëndronte zgjuar dhe të kujdesej për foshnjën. Njëkohësisht me të, ishte partneri ai që kujdesej për të dyja duke sakrifikuar gjumin.

Klaudia Karabolli: Orët e gjata bënin që të lodhesha, të shtrihesha, të mëbshtetesha edhe mbi bebin dhe kjo është edhe e rrezikshme dhe Andi për të mësuportuar bëhej mbështetje në krevat që unë të mbështetesha te ai dhe të më kontrollonte sepse mund të ishte ora 3, mund të ishte ora 4 ndërkohë okej mamatë janë me leje lindjeje, por baballarët duhet të kthehen në punë në mëngjes dhe duhet të jenë të ftilluar për të vazhduar punën, kanë përgjegjësitë e tyre, patjetër që u kërkojnë të jenë të vëmendshëm dhe e mbaj mend vërtet ia them që është një nga episodet që e kam ndier shumë pranë dhe kam menduar që ka sakrifikuar patjetër gjumin e tij për të ndenjur për vajzën e vet./tvklan.al