Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pacientët e Onkologjikut, duhet të presin një muaj, ose edhe dy muaj për aparaturën e kobalto-terapisë, për të vazhduar seancën e rrezeve të tyre. Ndërsa nuk përcaktohet afati për ndreqjen e aparatit të prishur. Ai vazhdon të jetë jashtë pune, e të mbajë me shpresë qindra pacientë, që presin të bëjnë rreze.

Specialistë dhe inxhinierë, janë duke punuar në pultin e komandimit, për të eliminuar defektin, por s’dihet se kur. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, gjithçka flet për papërgjegjshmëri të drejtuesve të kësaj qendre, duke e quajtur të pafalshme.

Mustafa Xhani:- “Është bërë një histori, pak a shumë e zgjatur. Ka një papërgjegjshmëri të plotë, qoftë nga shefi i shërbimit që është aty, qoftë nga Biomedicali, qoftë nga drejtoria. Është e pafalshme, që për një shpenzim minimal prej 15 mijë lekësh të reja për një stabilizator, të shkaktohen këto defekte. Sigurisht mbanë përgjegjësi edhe inxhinieri, i cili nuk ka bllokuar punën, që të mos punonte pa këtë stabilizator. Unë sot kam thirrur zv/ministrin, për të krijuar të gjitha lehtësirat e procedurave ekonomike, për të ardhur sa më shpejtë në Shqipëri specialisti dhe çfarë mund të vërë ministria në dispozicion është e hapur. E rëndësishme është që kobalti të fillojë sa më parë. Jemi edhe në tratativa me agjencinë atomike në Vjenë, që do të na japi një aparat të dytë kobalti”.

Por inxhinieri i QSUT shprehet, se nuk është problemi i një stabilizatori, por vjetërsia dhe mangësi të brendshme të kësaj aparature, që nuk mund t’i përcaktojë teknikisht. Pacientët edhe gjatë kohës së punës së inxhinierëve presin në radhë, pasi u duket se kobalto-terapia mund të rregullohet për një moment e të jenë të aparat ata që të përfitojnë seancën e rrezeve, pasi ajo mund të prishet prapë./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti