Godina e Teatrit të ri Kombëtar do të përfundojë brenda vjeshtës ndërsa punimet dhe pajisjet që nevojiten për ta bërë funksional dhe të hapë dyert për publikun do të vijojë dhe përgjatë 2026.

“Me karabinanë mbarojmë brenda tetorit dhe pastaj vazhdojmë me pjesën artistike. Pjesa e gjithë mekanizmave që do të ndërtohen për skenografi dhe facilitete të tjera teknologjike të skenave do të vazhdojnë më mbrapa në pjesën tjetër të kontratës. Gjithë ideja e hapësirave që krijohen, po të shikoni nga trarët që janë vendosur, për të kryer idenë e hapësirës publike që do të jetë si e shtuar nga ndërtimi. Kjo është si do të duket pamja nga ky kënd, kjo do jetë shkallarja që ngjit për tek hapësira që është jashtë e anfiteatrove sipër”, tha Anuela Ristani.

Projekti i arkitektit Bjarke Ingels ka konceptin e një ndërtese të ndarë në dy pjesë: një për aktorët dhe administratën, dhe një tjetër për publikun. Të dy pjesët kanë akses të veçantë. Ndërsa pjesa e tavanit të ndërtesës do të shërbejë si një teatër i hapur ku publiku mund të ulet në shkallare për aktivitete të ndryshme.

Kryeministri qe ishte ideatori i hershem i nevojës për një teatër të ri e që ka marre përsipër të inspektojë çdo punë që po kryhet nga Bashkia e Tiranës, jep porositë për punimet që duhen kryer në pjesën e jashtëm të godinës.

“Duhet bërë e gjitha, sheshi mbrapa, sheshi galerisë, rruga pedonale, sheshi këtu duhet bërë e gjitha, duhet mbyll e gjitha, si një gjë komplete. Duhet bërë një gjë që të jetë si sheshi i dytë i Tiranës. Domethënë deri në fund të tetorit ne e kemi guaskën e mbyllur dhe gjithë do të shikoni se çfarë Teatri Kombëtar do të kemi përsa i përket formës arkitektonike. Do jetë pa asnjë diskutim teatri më i bukur kombëtar në të gjithë rajonin dhe do të jetë ndër teatrot më të bukur kombëtar të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, se para Luftës së Dytë Botërore ka monumente që janë të pa konkurueshme në formën e tyre ne Europë. Kështu që, kjo është koha kur edhe pak durim dhe të gjithë ata të lënduarit me humbjen e asaj që kishim, që ishte një godinë nostalgjike, por pa asnjë lloj vlere të qëndrueshme për të vazhduar të rrinte aty, -do të ndjehen të lehtësuar sepse përveç teatrit kemi edhe një shesh komplet tjetër që fiton qendra e Tiranës, para dhe mbrapa teatrit”, tha Rama.

Teatri i Ri do të jetë i integruar edhe me infrastruktura të tjera, të lidhura me artin, që do të ndërtohen siç është Muzeu i ri i Arteve.

Tv Klan