Kryeministri Edi Rama u shpreh besimplotë se do ketë mbështetjen e administratës Trump.

“Ju kujtohet kur fitoi Donald Trump herën e parë që m’u çuan mua në Parlament, më thanë ik vetë tani se do vijë Donald Trump-i këtu të të marrë zvarrë, ju kujtohet? Si vazhdoi puna pastaj, apo kismet?”, tha Edi Rama.  

Nëse shqiptarët votojnë Berishën më 11 Maj, sipas kryeministrit do të ndërpriten negociatat me Bashkimin Europian.

“Zgjedhja që ke me 11 Maj është midis BE-së dhe kënetës, shumë e thjeshtë. O me ne në BE o me bufin në kënetë. Me bufin në kënetë e ke të sigurtë që je me humbësat, e ke të sigurtë që s’ke asnjë sodisfaksion”, tha Rama.   

Shpreson se do mbetet në pushtet edhe me ndihmën e votës së emigrantëve.

“Këtë ditë e solli kjo ambicie dhe ky vizion për të hyrë në Bashkimin Europian. Kështu që fokusohuni tek kjo. Fokusohuni tek ky mision patriotik. Lërini broçkullat dhe mos humbni kohë me kënetën dhe me llumin e kënetës, por fokusohuni tek ky mision historik. Kryeministrat venë dhe kryeministrat vinë, dakord? Mua më duhet të rri dhe pak, dakord? Të rri dhe pak sepse duhet ta përmbush dhe ta përmbushim këtë mision”, tha Edi Rama.

Rama premtoi ujë, drita, bonuse për pensionistët dhe pjesëmarrje në panaire turizmi gjatë mandatit të katërt.

“Kujtohet kur morëm ne detyrën sesi ecej nëpër Tiranë se s’po të llogaris qytetet e tjera, hap e gjenerator, që më shumë prodhoheshin drita me naftë sesa me korent? Kujtohet se 50% e miletit nuk paguanin dhe e vidhnin energjinë elektrike dhe 50% paguanin dhe për ta”, tha Rama.  

Klan News