Pas riardhjes së Donad Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, opozita nuk e ka fshehur se shpresat e saj janë që të ndikojë dhe në rotacionin politik në Shqipëri. E një prej pyetjeve që i erdhën këtë të enjte Kryeministrit Edi Rama, në komunikimin me ndjekësit, lidhej pikërisht me marrëdhëniet me Trump-in dhe Sorosin.
“Do ta shihni dhe Amerikën, mos ki merak. Do ta shihni dhe Amerikën dhe marrëdhënien me Amerikën edhe mbështetja me Amerikën. Të gjitha do i shikoni siç i keni parë, por nuk mbani mend se ky është problemi se e keni kujtesën e dobët dhe ju mban këneta peng. Se ju kujtohet kur fitoi Donald Trump herën e parë që mu çuan mua në parlament më thanë: ik vet tani se do vijë Donald Trump këtu të të marrë zvarrë? Ju kujtohet? Si vazhdoi pastaj puna apo kismet?”
E ndërsa lë të kuptohet se demokratët do të zhgënjehen kur të kuptojnë se marrëdhëniet me SHBA nuk do të ndryshojnë, ai kërkon nga të gjithë votuesit, që votën e 11 Majit ta shohin si votën për të realizuar anëtarësimin në BE. Anëtarësim që shumica e tij e ka premtuar dhe do ta realizojë brenda mandatit të 4 e që nuk do të jetë e mundur, thotë ai, nëse demokratët do të marrin drejtimin e qeverisjes.
“Vetëm një sekondë parafytyroheni Shqipërinë të përfaqësuar nga bufi i kënetës. E parafytyroni ju që të ndalojnë negociatat dhe të hyjnë zhabat, bretkosat, gjinkallat në negociata. Kryeministrat venë dhe kryeministra vijnë. Mua do më duhet të rri dhe pak, sepse dua ta përmbush dhe ta përmbushim këtë mision. Të tjerat nuk janë forca politike, janë çeta”.
Në një takim të zhvilluar një ditë më parë me anëtarët e asambleve socialiste foli për përfitimet konkrete përmes mbështetjes financiare që do të ketë vendi pas anëtarësimit.
“Do të marrë një frymëmarrje të re sepse do të ketë një mbështetje të strukturuar”, tha Rama.
Komunikimin “Sy m’Sy” e nisi këtë të enjte me dy telefonata me ministrin e Ekonomisë dhe ministren e Turizmit për të folur për dy panaire të rëndësishme, ai i Punës në datën 2 në Athinë, që synon t’u paraqesë shqiptarëve që jetojnë në Greqi ofertën që ka qeveria për rikthimin e tyre. Panairi tjetër është ai Berlinit për turizmit në datën 3 Mars ku Shqipëria do të këtë vendin e nderit në këtë organizim të përvitshëm. Vitin e ardhshëm vendin e nderit do ta kenë Maldivet.
Tv Klan