Kryeministri ka reaguar sërish pas dhënies së masave të sigurisë nga Gjykata e Posaçme për të përfshirët në dosjen e Universitetit Bujqësor. Ai siguron se nuk po mbron abuzuesit, por kërkon që të mos merret peng aktiviteti dhe dëmtohet integriteti i një institucioni arsimor.
“Drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie, ndërsa jeta personale e familjare e kujtdoqoftë që mund të jetë krejt i pafajshëm, kthehet në një ferr padrejtësie me pasoja traumatike. Prokurorët dhe gjykatësit mund ta bëjnë tani pa asnjë ndryshim, deri në fund, detyrën e tyre dhe fajtorët e mundshëm nuk kanë asnjë shans të shpëtojnë, nëse kanë prekur fondet publike. Por ama jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik, stabiliteti psikologjik i komunitetit të pedagogëve, studentëve, prindërve nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e vet. Aleanca strategjike e UBT me Universitetin BOKU të Vienës, që u krijua me një përpjekje të madhe të qeverisë dhe programi ambicioz i transformimit rrënjësor, e i njehsimit të diplomave BOKU/UBT2030 nuk kërcënohet më nga humbja e besimit të partnerëve austriakë përballë panoramës lemeritëse të 24 masave të sigurisë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë operacion në fshatin Corleone”, tha Rama.
Rama përsërit qëndrimin e mbajtur dhe pas dëgjesës në grupin parlamentar socialist të rektorit të Universitetit Bujqësor: mbështesim luftën kundër korrupsionit, por SPAK-u dhe gjykata e posaçme nuk duhet të shkelin në asnjë menyrë standardet demokratike dhe të drejtat e atyre që deri në fund të procesit prezumohen të pafajshëm.
“Shpatën e ndëshkimit ia kemi dorëzuar SPAK-ut. Peshoren e drejtësisë ia kemi besuar Gjykatës Speciale. Por fashon e pavarësisë e paanësisë prokurorët, e sidomos gjykatësit, duhet ta bëjnë pa humbur kohë pjesë të lëkurës së tyre profesionale, në respekt të prezumimit të pafajësisë, të lirive e të drejtave të njeriut, të standardeve demokratike të drejtësisë europiane. Prandaj, shpatën ta mbajnë lart, e kanë gjithë mbështetjen tonë. Peshorja është e tyrja, nuk ndërhyjmë në brendinë e çështjeve. Por sa herë do t’ua shohim sytë të pambuluar e deri edhe me gjak, nuk do të ngurrojmë ta themi publikisht”, tha Rama.
Kryeministri hodhi akuza të rënda një ditë më parë kur deklaroi se SPAK-u po përdor metoda të një drejtësie ruse ndërkohë që vendi kujton ai po kërkon të anëtarësohet në BE dhe kërkohet një drejtësi europiane.
Tv Klan