Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zhvilluar takim me asambletë socialiste të disa njësive në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka vënë theksin tek anëtarësimi i vendit në BE, për të cilën ka thënë se pritet që në vitin 2026-2027 të mbyllen negociatat.

“Fondet e BE-së janë të pagjetshme dhe të pasigurueshme askund tjetër nëse nuk je anëtar i asaj familje. Pra, është njësoj si të hysh nuse apo dhëndër në një familje shumë të madhe pasi ke qenë jetim. Na duhen 2026 dhe 2027 për të mbyllur negociata dhe për ta futur Shqipërinë në BE”, u shpreh kryesocialisti Rama.

Më tej, Kryeministri Rama tha se zgjedhjet e 11 Majit janë themelore për historinë e Shqipërisë pasi shtoi se na është hapur një dritare e një mundësie të re për herë të parë. Ai u shpreh se objektivi është që në vitin 2028-2029 të marrim aprovimin si anëtar të rinj të familjes europiane. Një arritje të tillë, kryesocialisti e quan ngritje të dytë të flamurit të Shqipërisë.

“Duhet të jeni krenarë për gjithçka që ka ndodhur në luftën kundër korrupsionit. Kurrë pa këtë parti nuk do të ndodhnin të gjitha këto që po ndodhin. Këto janë zgjedhje themelore për historinë e Shqipërisë sepse për herë të parë na është hapur një dritare e një mundësie. Mundësia që brenda pak më shumë se 2 viteve, ne të mbyllim të gjithë procesin e negociatave me BE-në dhe faktikisht të hapim derën për të hyrë në familjen europiane dhe pastaj në 2028 dhe në 2029, të marrim nga të gjitha parlamentet e vendeve anëtarë të BE-së aprovimin si anëtar të rinj të familjes europiane. Kjo është ngritja e dytë e flamurit të Shqipërisë”, deklaroi Rama.

/tvklan.al