Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Durrës, ku ka theksuar nevojën për të pasur profesionistë në zanatet e kërkuara.
Gjatë takimit me stafin e kësaj shkolle, kreu i qeverisë theksoi se zanati sot të krijon mundësi për më shumë punë të mirëpaguar.
“Të shkosh në arsim profesional nuk është të shkosh në kategorinë e dytë. Sepse edhe po të shkosh në arsimin profesional t’i mund të shkosh në universitet po të duash. Kur ke bërë arsimin profesional në të gjitha rastet ke zanat, jo vetëm punon por fiton edhe shqisat për të bërë sipërmarrjen tënde. Për shumicën ky është arsimi i të nesërmes, të jep punë më shpejt dhe punë të mirëpaguar sot. Sot i dëgjon bizneset që thonë nuk e kemi problemin t’i japim lekë, thonë a i kemi këta që duhet t’i paguajmë mjaftueshëm të kualifikuar”, u shpreh Rama.
Kryeministri solli në vëmendje atë që po ndodh me turizmin aktualisht, teksa tregu lyp nevojën për më shumë profesionistë në këtë sektor.
“Kemi parë se si zgjerimi hap pas hapi dhe rritja e investimeve private do të çonin në situatën kur do kërkohej cilësi jo sasi për shumë vende pune. Sot shembulli më dramatik është turizmi por kudo mund të thuhet e njëjta gjë. Kemi një kërkesë që është eksponencialisht më e lartë dhe kemi një sipërmarrje në turizëm që duhet të ketë jo vetëm punonjës por t’i ketë të kualifikuar se nuk ecet më dot, se edhe po të duan të ecin symbyllur, por tani duhet që ose kamarieri të dijë të sillet, recepsionisti të dijë të bëjë punën shpejt, të dinë t’i trajtojnë klientët si arsyen kryesore pse janë aty ose pastaj ata turistë që vijnë nuk kthehen më aty. Nuk diskutohet. Dhe kjo është kudo. Tani po na ndihmon edhe presioni i tregut, presioni i rritjes ekonomike që ta kemi më të lehtë me sipërmarrësit. Sfida tjetër që kemi ne është sistemi dual, duhet filluar të orientohen në kuptimin thelbësor që nuk është që e merr një nga shkolla në punë dhe e trajton. Ai edhe në punë duhet të jetë nxënës, t’i krijohen të gjitha kushtet si nxënës”, theksoi Kryeministri Edi Rama.
/tvklan.al