E nis ditën e parë të samitit të Budapestit me lajmin se pranverën e ardhshme rreth 50 liderë do të mblidhen në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama: Po marrim stafetën këtu për takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri gjysmën e parë të vitit që vjen.

Për rithimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë u kujtoi gazetarëve mandatin e parë presidencial të tij, ku NATO-ja sipas Ramës u bë më e fortë.

Çfarë përfaqëson rikthimi i Donald Trump për Europën?

Kryeministri Edi Rama: Mënyra si e shoh unë është se është bërë shumë zhurmë, ndoshta, jo në mënyrën e duhur për rikthimin e tij në pushtet. Përvoja më thotë se kur ai ishte president të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO-ja u bë më e fortë. Kështu që, le të shohim dhe le të mos bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën. Mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën.

Për Zelenskin, Rama tha se nuk ka pse shqetësohet nga ndryshimi në krye të administratës amerikane.

-Po çfarë do t’i thoni Zelenskit sot kur të vijë? Çfarë do t’i thoni të atij?

Kryeministri Edi Rama: Ia kam thënë, mendoj që nuk është domosdoshmërisht diçka për t’u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar, për të bërë shumë më tepër për të pasur një Evropë shumë më të fortë. Kur u zgjodh herën e parë, të gjithë po dridheshin, sepse ndoshta NATO-s do t’i vinte fundit, por NATO-ja u bë më e fortë. Ndaj, nuk mendoj se ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është diçka që duhet ta shohim si shqetësuese. Në të kundërt, mund të jetë një mundësi e madhe për të bërë gjërat ndryshe për ne dhe për botën.

Rama u pyet edhe përrënien e koalicionit qeveritar në Gjermani.

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, unë jam Kryeministri i Shqipërisë. Jam më i gjati mes tyre, por përfaqësoj një vend të vogël, kështu që nuk më takon mua të mendoj për të gjitha gjërat e mëdha. Për Shqipërinë nuk nënkupton asgjë, sepse asgjë nuk ndryshon. Shqiptarët janë komuniteti më pro-amerikan në Evropë, kështu që kushdo të jetë në Shtëpinë e Bardhë, nuk bën ndonjë dallim të madh, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që ne jemi shumë më pak të prekur nga këto lloj emocionesh, sepse për ne është e njëjta gjë.

E mbylli me një batutë për paktin me Melonin

-Si e shihni propozimin për emigrantët?

Kryeministri Edi Rama: Pyesni Giorgia-n se po vjen tani.

Klan News