Ndryshe nga çfarë shohim në ekrane, vendet e Ballkanit ofrojnë më shumë siguri për qytetarët krahasuar me disa vende të tjera të Europës, me këtë fjali drejtori ekzekutiv i zyrës së Kombeve të Bashkuara mbi krimin dhe drogën Anton Maria Kosta nisi prezantimin e raportit mbi Ballkanin.
Shqipëria ka bërë progres në uljen e krimit, por problem mbetet lidhja korrupsion-biznes-politikë dhe në këtë pikë Shqipëria ka treguar angazhim politikisht duke nënshkruar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare mbi transparencën financiare dhe korrupsionin.
Arta Tozaj: “Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, Ballkani nuk konsiderohet vend problematik për sa i takon krimit ordiner, por mbetet vatër e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkohë nga ana tjetër shifrat flasin se 68% e personave të arrestuar për trafik droge në Europë janë me prejardhje nga Ballkani, ndër të cilët 6% shqiptarë, jo vetëm shqiptarë të Shqipërisë, por dhe nga Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi. Por të gjithë këta persona janë me shtetësi në vendin ku ata trafikojnë ndaj nuk konsiderohen problem i shtetit shqiptar.”
Raporti i Kombeve të Bashkuara u diskutua në qendrën e politikave evropiane për sfidat e Ballkanit në drejtim të qeverisjes dhe krimit. Komisionari Olli Rehn shpjegoi se në vitin 2006 Europa cilësoi Ballkanin si epiqendër të trafikut njerëzorë, për krimin e organizuar dhe korrupsionin organizata të ndryshme kombëtare kanë qëndrime plotësuese sipas tij./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj