Rasti i fundit i arratisjes nga burgu ka ndodhur në vitin 2013 në Drenovë. Prej atëherë nuk ka patur më rast arratisjesh, ndërsa tentativa e fundit ishte nga Dan Hutra në burgun e Fierit.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija i cili po shoqëron emisionin “Opinion” në Tv Klan në një reportazh për burgun e Peqinit dha disa detaje rreth tentativës së Dan Hutrës. Gjithashtu ai shpjegoi edhe mjetet që lejohen të hyjnë në burg, të cilat kanë qenë një temë diskutimi në emision ku pati deklarata se të burgosurit mund të marrin pajisje elektroshtëpiake e deri edhe tualete.

Blendi Fevziu: Sa raste arratisjesh keni pasur nga burgjet këto kohë?

Admir Abrija: Nuk kemi pasur rast arratisjesh. Rasti i fundit i arratisjes nga burgu ka qenë në vitin 2013, nga burgu i Drenovës.

Blendi Fevziu: Po, rasti i famshëm që u riarrestuan. Edhe burgu i Drenovës është i sigurisë së lartë?

Admir Abrija: Edhe burgu i Drenovës është i sigurisë së lartë. Tentativa e fundit e arratisjes që kemi pasur ishte në burgun e Fierit.

Blendi Fevziu: E Dan Hutrës. Po në çfarë forme tentoi të arratisej?

Admir Abrija: Ai kishte rekrutuar nja 3 të paraburgosur të tjerë që i konsiderojmë si ndihmësit e tij në procesin e arratisjes. Ne morëm inteligjencë, kishim informacion, e mbajtëm në vëzhgim për një kohë të  caktuar dhe më pas njoftuam prokurorinë përkatëse të rrethit gjyqësor që bëri arrestimin.

Blendi Fevziu: Iu gjetën pajisje?

Admir Abrija: Iu gjetëm pajisje, litari e këto që ai kishte  përdorur nëpërmjet çarçafëve, por edhe  mjetet prerëse.

Blendi Fevziu: Si kishin hyrë mjetet prerëse?

Admir Abrija: Ishin të improvizuara. Ishin krijuar brenda burgut pasi një nga të paraburgosurit e tjerë  kishte punuar si farkëtar më përpara.

Blendi Fevziu: Por dëgjova që shkelet ligji për futjen e frigoriferëve, pajisjeve, po e quaj shtëpiake, sobave.

Admir Abrija: Janë disa pajisje që lejohen, pra po themi ne frigoriferi, televizori, antenat, pajisje dixhitale të tjera lejohen, janë të gjitha pajisje të lejuara. Janë disa pajisje që administrativisht nuk lejohen për të hyrë siç është soba ose lejohen për të hyrë por vetëm nëpër burgje që janë të projektuara për t’i pasur në ambiente të brendshme këto gjëra.

Blendi Fevziu: Për t’i pasur nën kontroll.

Admir Abrija: Ekzakt. Kur një burg është i projektuar për ta pasur një pajisje të caktuar…

Blendi Fevziu: Por dëgjova që edhe WC-të i kanë bërë dhe i sjellin vetë.

Admir Abrija: S’është e vërtetë. Ne në këtë burg kemi pasur në muajin maj CPT-në që e vizitoi burgun dhe ka bërë një raport në lidhje me trajtimin, raport i cili ka dalë dhe është i këtij viti. CPT- thotë që trajtimi, forma,  përmbajtja që iu bëhet të dënuarve në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit të Peqinit, sidomos ata që janë me burgim të përjetshëm është e duhura.

Në burgun e Peqinit ka rreth 128 të të burgosur me burgim të përjetshëm dhe 330 ndodhen në siguri të lartë./tvklan.al