Gjatë një interviste për Televizionin Klan, drejtoresha e Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor të ri zonja Teuta Mati akuzoi ministrin e Arsimit se po shkelte të drejtat e autorit duke shtypur tekstet shkollorë të arsimit parauniversitar, pa u marrë më parë mendimi i autorëve të këtyre teksteve.
Teuta Mati: “Mendoj që është shkelur ligji me dashje, sepse Ministrisë së Arsimit nuk i ka munguar oferta nga ana e Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor, qoftë të vjetër, qoftë të re, për bërjen e këtyre librave, ashtu siç është procedura.”
Pas akuzave të Matit, të mbështetura dhe nga autorët e teksteve shkollore parauniversitare, vetëm sot Ministria e Arsimit ka dhënë variantin e saj për këtë problem. Ministri Memushi ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga Mati duke e cilësuar atë si shkaktare të këtij debati, që, sipas tij, është i kotë.
Luan Memushi: “Ka një konflikt të pastër interesash. Pagesa e autorëve është e garantuar në bazë të ligjit të të drejtës së autorit, por në rastin konkret, drejtuesja në fjalë kërkon nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës që ne të bëjmë një vendim me prokurim të drejtpërdrejtë duke i akorduar asaj ndërmarrjeje një fond prej 80 milionë lekësh vetëm pse do të bëjë veprimin e ndarjes së lekve, honorareve që u takojnë autorëve për asnjë shërbim tjetër.”
Këtë deklaratë ministri i Arsimit e ka bërë gjatë një konference për shtyp ku u bënë të ditura datat e konkurseve për pranimet në universitete si dhe të gjitha procedurat që do të ndiqen këtë vit për konkurrim, procedura që nuk do të kenë ndonjë ndryshim nga ato të ndjekura dhe një vit më parë. /tvklan.al