Rrjetet sociale paraqesin momentet më të bukura dhe të kuruara duke krijuar imazhin perfekt, përfshirë edhe të mëmësisë por realiteti nuk është kështu. Në rastin e Klaudia Karabollit, blerja e të gjitha produkteve që reklamohen për nënat e reja dhe foshnjat nuk e ‘shpëtoi’ dot nga vështirësitë.
Moderatorja, e cila është nënë e një vajze 1 vjeçe, flet pa doreza për realitetin që gjendet pas ekranit ku të duhet të vraposh, të përballesh me të renë dhe nuk ka një manual që të mëson, por je ti vetë që merr përgjegjësinë për ta bërë mëmësinë të funksionojë.
Klaudia Karabolli: Në momentin që jam kthyer në shtëpi nga materniteti dhe kishte kudo pompë gjiri, pompë për hundën, pampersa, letra të ndryshme, manuale, pajisje, higjienizues për biberonë, biberonë të ndryshëm, jo po me një kokë pa kolika, ishte një tmerr dhe po shikoja, u gjenda e vetme përballë gjithë këtyre pajisjeve që nuk e dija si mund t’i përdorja dhe kisha një bebe të vogël në krevat që priste nga unë të ndërrohej, të hante, t’i falja dashuri e gjithçka tjetër ndërkohë kisha për të bërë edhe gjithë punën tjetër për të kuptuar gjithë këto pajisjet si funksiononin se është shumë bukur kur i blen, bën ‘shopping’ se këto muajt e shtatzënisë janë shumë ‘cool’, por pastaj duhet t’i vësh të gjitha në funksion dhe dashur, padashur edhe unë nga të gjitha vajzat që janë influencer, që dalin në ekran dhe flasin për mëmësinë, si dueht të përgatiteshim, ishte shumë bukur dhe manualet ishin shumë të mira, por realiteti pastaj është krejt tjetër. Përgjegjësia më e madhe është të dish ta duash mirë një fëmijë, t’ia falësh këtë dashuri, të kujdesesh, pastaj pajisjet, teknologjitë e të gjitha këto gjërat janë vërtet moment i dytë, kështu që vajza, kush janë gati për t’u bërë mami së shpejti, me terezi këto pajisjet sepse janë gjërat pak më të thjeshta se sa ne i kemi komplikuar.
Moderatorja ndan edhe vështirësinë e një prej proceseve që konsiderohet si më të bukurit e mëmësisë, gjidhënies duke mos kursyer as këshillën që do donte që dikush t’ia kishte dhënë edhe asaj.
Klaudia Karabolli: Për mua ka qenë goxha sfiduese sepse lindja me operacion bën pak më të komplikuar dhe pak më të vonë procesin e ardhjes së qumështit të gjirit. Ka qenë sfiduese dhe nuk isha e përgatitur pavarësisht se siç e thashë i kisha blerë të gjitha pajisjet, kremrat e duhur, të gjitha ato pajisje që reklamohen rëndom në rrjete sociale, por asnjë nga ato nuk bënte efekt sepse ne duhet të mësohemi që duhet të dëgjojmë zërin e ekspertëve dhe kryesisht do t’u këshilloja të gjitha nënave të reja të lidhen me një mami për të kuptuar të gjitha proceset. Jo vetëm doktori që ne bëjmë të kundërtën e të gjithë botës, doktori patjetër është i rëndësishëm që ne ndiqemi, por një mami është personi kyç që do t’i shpëtojë nga blerjet e kota, që do t’i orientojë siç duhet për të përballuar procese si gjidhënia, menaxhimi i orareve të gjumit, të ushqimit etj të bebit, prandaj kjo do ishte një nga këshillat që do doja që dikush të ma kishte dhënë./tvklan.al