Për miqtë dhe njerëzit e tij më të ngushtë, Anas Modamani ishte ndër njerëzit që hyri në histori. Një foto e tij së bashku me ish-kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, e realizuar në vitin 2015 tanimë është botuar në librin e saj “Liria” Kujtimet 1954-2021”.
“Kam bërë një foto me Merkelin në vitin 2015. Kjo foto më ndryshoi jetën sepse përmes saj fitova shumë njohje, njerëz me të cilët dal për kafe, më bëri të gjeja pasionin tim për fotografinë. Tani kam një aparat fotografik, bëj foto dhe punoj. Bleva një çantë të veçantë për veten time. Unë redaktoj dhe ndihmoj gazetarët. Më ka ndihmuar të arrij atë që aspiroja. Gjithashtu e kam përdorur këtë foto në një mënyrë pozitive për të ndërtuar të ardhmen time”.
Sipas tij ajo foto u bë si një simbol për refugjatët në Evropë. “Fotografia është në librin që Merkel shkroi me historitë e saj vërtet të bukura, dhe do të mbetet në libër dhe në zemrat tona përgjithmonë, veçanërisht në zemrën time”, shprehet Modamani.
Në atë kohë Modamani ishte vetëm 18 vjeç, pasi kishte mbërritur së fundmi në Gjermani nga Siria.
“Selfie në fakt ndryshoi jetën time. Kam kuptuar më shumë gjermanët sepse kam takuar shumë prej tyre. Ajo foto më solli kontakte të reja ku fola me ta në gjermanisht që më ndihmuan në profesionin tim. Mësova më shumë për kulturën gjermane. Më afroi pak më shumë me njerëzit dhe që atëherë kam punuar, studiuar dhe takuar gazetarë, kam mësuar sesi bëhen filmat, montazhi i videove dhe kjo më bëri të lumtur dhe sot jam kameraman.”
Në vitin 2015, si rezultat i luftërave në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Siri, Afganistan dhe Irak, shume sirianë mbërritën në kufijtë e Evropës. Në një moment të rëndësishëm, Merkel hapi kufijtë e Gjermanisë dhe u tha gjermanëve “ne mund ta bëjmë” ndërsa vendi mirëpriti mijëra azilkërkues. Me origjinë nga Damasku, Modamani ishte një nga afro 800,000 sirianë që ikën nga lufta dhe u vendosën në Gjermani. Ai është shtetas gjerman prej tre vitesh dhe aktualisht punon si teknik për median gjermane Deutsche Welle.
Ai është gjithashtu aktiv në TikTok me mikun e tij sirian me origjinë kurde, Syamend Al Othmann, me të cilin ka zhvilluar intervista mbi situatën aktuale në Siri. Modamani, megjithatë, vë në dukje se jo të gjithë do të jenë gati të kthehen në Siri tani pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad.
“Shumë politikanë në Gjermani kanë sugjeruar që sirianët duhet të kthehen në vendin e tyre qe pas clirimit te Sirise. Nuk e shoh këtë si një gjë të drejtë tani, pasi Siria ende nuk është një vend i sigurt, ende ka luftë dhe Izraeli po bombardon dhe shumë njerëz që nuk kanë lidhje me shenjestren e tyre po vriten . Gjermania duhet ta vlerësojë këtë në një mënyrë tjetër, për t’i lënë njerëzit të vendosin nëse duan të kthehen apo jo. Ka njerëz që kanë ardhur këtu 10 vjet më parë, si unë. Unë kam një shtëpi, një punë dhe gjithçka që ëndërroj. Ky është bërë vendi im i dytë. Pra, është e vështirë të kthehemi. Por ka njerëz që nuk e kanë pëlqyer Gjermaninë dhe këta njerëz do të kthehen menjehere, si p.sh moshuarit etj. Nga ana tjetër të rinjtë mund ta ndertojne jeten mes Sirise dhe Gjermanisë.”
Ai gjithashtu është kritik ndaj retorikës së krahut të djathtë se është koha për të dërguar të gjithë sirianët që jetojnë në Gjermani në vendin e tyre. “Unë nuk mendoj se është një ide e mirë që kaq shumë njerëz në anën e Alternativës për Gjermaninë po thonë tani se sirianë duhet të kthehen sa më shpejt që të jetë e mundur. Situata nuk është përmirësuar ende, kështu që është ende njësoj si më parë. Kështu që edhe sirianet shpresojnë se lufta do të përfundojë shpejt dhe ata do të largohen vullnetarisht. Unë do ta vizitoj Sirinë shpesh të takoj familjen time”.
Anas shprehet se frika është gjithashtu një ringritje dhe riaktivizim i Shtetit Islamik dhe ndryshime në shumë rregullore. “Unë gjithashtu nuk dua që ai të bëhet aq shumë një shtet islamik, ku njerëzit mbajnë nikabin, nuk e dua këtë. Unë dua që Siria të mbetet e hapur, dua që Siria të jetë për të gjithë , pavarësisht nga kombësia. Dhe Siria është duke u luftuar nga shumë grupe të ndryshme, duke përfshirë ato të armatosura. Shpresoj që Siria të zhvillohet shpejt për ta bërë atë edhe më moderne se Evropa”.
Tashmë, shumë vende evropiane kanë ngrirë kërkesat për azil për dhjetëra mijëra sirianë deri në njoftimin e ardhshëm. Gjermania hapi dyert për një numër të lartë azilkërkuesish në vitin 2015 në kulmin e luftës civile në Siri dhe tani është shtëpia e gati një milion sirianëve, komuniteti më i madh në Evropë. Ministria e Brendshme e Berlinit ka bërë të ditur se nuk do të përpunojë kërkesat për azil derisa të ketë më shumë qartësi mbi zhvillimet politike në Siri.
Që nga shpërthimi i luftës civile në Siri 13 vjet më parë, më shumë se gjysma e popullsisë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Miliona sirianë ikën në vendet fqinje, veçanërisht në Turqi, e cila u bë rruga kryesore për refugjatët për të arritur në Evropën, duke kontribuar në krizën e emigrantëve të vitit 2015. Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), numri i refugjatëve sirianë të regjistruar zyrtarisht në rajon ishte më shumë se 4 milionë. Presidenti turk Tajip Erdogan ka deklaruar se vendi i tij ka hapur portat kufitare me Sirinë për të menaxhuar kthimin e sigurt dhe vullnetar të miliona emigrantëve sirianë.
Britania ndaloi gjithashtu përpunimin e kërkesave për azil sirian. Ministri i Jashtëm David Lammy paralajmëroi se zhvillimet mund të shkaktojnë më shumë migrim drejt shteteve evropiane. Rënia e qeverisë së Asadit në Siri i befasoi pothuajse të gjithë dhe ka krijuar pasiguri. Operacioni nga forcat rebele pati sukses të shpejtë në arritjen e qëllimit të tij fillestar, pushtimin e qytetit të dytë të Sirisë, Alepos. Prej aty, në pak më shumë se një javë, aleanca rebele arriti në Damask dhe të dielën i dha fund sundimit të familjes Assad për dekada me radhë.
Klan News