Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Emiljano Shullazit, i cili kërkoi të cilësohej antikushtetues mbyllja e tij në regjimin “41 Bis”. Pas shqyrtimit të vendimit të Shkallës së Parë dhe të Apelit të Posaçëm, “Kushtetuesja” ka konstatuar se Shullazit i është cenuar e drejta për proces të rregullt ligjor, dhe i është mohuar e drejta të jetë i barabartë në proces për të paraqitur provat.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese detyron dy shkallët e Gjykatës së Posaçme që të shqyrtojnë aktet sekrete mbi bazën e të cilave Ministri i Drejtësisë ka marrë vendim për ta izoluar në “41-bis”, pasi gjykatat refuzonin të shqyrtonin aktet me argumentin se është sekret.
Prej 1 Gushtit, Emiliano Shullazi, por edhe të dënuar të tjerë janë izoluar në regjimin ‘41-bis’. Shullazi u dënua me vendim të formës së prerë pas 83 seancash gjyqësore që u zhvilluan në harkun kohor të më shumë se 2 viteve në GJKKO. Ai u dënua me 14 vite burg.
Emiljano Shullazi është shoqëruar në masa të rrepta sigurie për vizita mjekësore të cilat ishin programuar nga mjekët. Vizitat u kryen pranë repartit të Neurologjisë në QSUT. Shullazi u shoqërua nga forca të shumta të policisë së shtetit dhe të policisë së Burgjeve, ndërsa në hyrje të spitalit u pozicionuan dhe forcat speciale RENEA.
Klan News