Moti i keq që ka përfshirë të gjithë vendin ka shkaktuar probleme në disa qytete. Reshjet intensive të shiut kanë krijuar vështirësi në disa kryqëzime dhe rrugë kryesore të Durrësit.
Uji ka kaluar lartësinë e trotuareve duke ndikuar ndjeshëm në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.
Ndër zonat më problematike janë kryqëzimi pranë stadiumit “Niko Dovana”, ai pranë shkollës “Qemal Mici”, tregu, si dhe disa segmente rrugore në lagje të ndryshme të qytetit.
Gjithashtu, është rënduar situata në ish-Kënetë, Shkozet dhe Plazh, ku ka prezencë uji në rrugë.
Kapiteneria e portit të Durrësit ka ndaluar daljen në det të anijeve të vogla dhe ato të peshkimit.
I njëjti urdhër është dhënë edhe për mjetet turistike ndërsa ka vijuar normalisht transporti i njerëzve. Nuk ka patur probleme me linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas duke bërë që tragetet të mbërrijnë në kohë.
Nuk është raportuar mungesë e energjisë elektrike duke bërë që hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt të punojnë me kapacitet të plotë.
Si pasojë e erës së fortë është ndaluar edhe në Vlorë lëvizja e anijeve të vogla.
Moti i keq ka përfshirë të gjithë qarkun ndërsa autoritetet nuk raportojnë për probleme në lëvizjen në rrugë në të gjithë territorin e vendit.
Sipas parashikimeve kushte të tilla të motit pritet të na shoqërojnë deri në mesditën e së dielës.
Klan News