Integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti ynë si shtet, por edhe i përfaqësuesve të partive politike shqiptare, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Sipas tij, për këtë nevojitet dialogu me të gjitha palët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, para së gjithash me shtetet fqinje.
Për ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, nevojiten dy të tretat e votave, të cilat, Gashi thotë se partitë që do të formojnë Qeverinë e re, do të arrijnë t’i sigurojnë dhe më pas të ketë një debat “për të hequr nga tryeza këtë problem politik”.
Ai thotë se me hapjen e ndryshimeve kushtetuese do të angazhohet që të zgjidhet edhe statusi i gjuhës shqipe në Kushtetutë, e cila përkufizohet si gjuhë e “20 për qind” të popullsisë.
Ai në intervistën për REL-in reagoi edhe ndaj pohimeve të partisë E Majta, e cila akuzoi koalicionin VLEN dhe VMRO DPMNE për “kosovarizimin” e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
“Mendoj se fjalori që u përdor atë ditë ishte më shumë një performancë teatrale për ngritje të tensioneve dhe tërheqje të vëmendjes”, thotë Gashi.
“Nuk mund të kërkosh vota nga të gjitha komunitetet dhe pastaj të thirresh në legjitimitetin e shqiptarëve”, thotë Gashi lidhur me pohimet e BDI-së se është shkelur legjitimiteti i votës shqiptare.
Ai thotë se si drejtues i Kuvendit do të jetë i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë dhe se do të respektojë të gjitha qëndrimet e tyre me qëllim të forcimit të demokracisë parlamentare në vend.
Radio Evropa e Lirë: Z. Gashi, menjëherë pas betimit tuaj në Kuvend, është bërë e ditur një ankesë kundër jush nga deputetja e LSDM-së, Bisera Kostadinovska Stojçevska, për shkeljen e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, meqë betimin e keni thënë fillimisht në shqip e më pas në maqedonisht. Si e komentoni këtë?
Afrim Gashi: Ne, në vend që të merremi me konstituimin e Kuvendit, që është momenti më i rëndësishëm politik në vend, ne u kthehemi gjërave nga aspekti teknik.
Deklaratën solemne e lexova në të dyja gjuhët dhe i lexova ashtu siç u lexuan nga kryesuesi i Kuvendit, ndoshta për disa arsye teknike. Nuk besoj se ka qenë e qëllimshme, edhe nëse ka qenë, është punë e Kuvendit.
Pavarësisht kësaj, nuk mendoj se duhet t’u kushtojmë vëmendje pjesëve të tilla. Por, është edhe një e drejtë demokratike e çdo deputeti dhe e çdo qytetari, nëse dikush mendon se është shkelur një e drejtë, të reagojë, të kërkojë të drejtën dhe ata që e kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi, nuk ka problem.
Unë e di dhe mendoj se të gjithë qytetarët e dinë që gjuha shqipe është një nga gjuhët zyrtare në vend, të cilën e flasin mbi 20% e qytetarëve. Por, nëse dikush do drejtësi, mirë, unë jam për të.
Radio Evropa e Lirë: Mendoni se e keni shkelur ligjin?
Afrim Gashi: Jo.
Radio Evropa e Lirë: Në debatin për zgjedhjen tuaj në krye të Kuvendit, partia E Majta doli me akuza se Kuvendi po “kosovarizohet”. Si i vlerësoni këto akuza?
Afrim Gashi: Mendoj se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duhet të ndërtojë një frymë të re bashkëpunimi me të gjitha subjektet politike.Mendoj se fjalori që u përdor atë ditë, ishte më shumë për një performancë teatrale dhe për ngritje të tensioneve dhe tërheqje të vëmendjes, dhe mendoj se nuk i shërben as demokracisë dhe as kulturës demokratike.
Natyrisht akuzat janë të pabaza dhe E Majta nuk është një parti që nuk njihet me qëndrimet e saj, por ne duhet t’i respektojmë ata pasi sapo kanë dalë nga zgjedhjet dhe qytetarët kanë votuar për qëndrimet e tyre. Por, unë mendoj se ne duhet të bëjmë çmos që të bisedojmë me ta dhe kuptojnë se kjo frymë që ata mundohen ta imponojnë, nuk iu bën mirë as atyre, as shtetit e as qytetarëve të këtij vendi.
Radio Evropa e Lirë: Kur do ta caktoni seancën e parë plenare?
Afrim Gashi: Seancat plenare do të caktohen në koordinim me të gjitha partitë politike. Tashmë kemi pasur një takim joformal me përfaqësues të partive. Presim që të zyrtarizohen grupet parlamentare dhe koordinatorët dhe sapo të kemi pëlqimin e shumicës së partive politike, do të fillojmë të thërrasim një seancë të re.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë prisni të jetë e para në agjendë?
Afrim Gashi: Si koalicion që tashmë është në horizont ndërmjet VMRO DPMNE-së, ZNAM-it dhe VLEN-it, është rënë dakord që Qeveria e re të fillojë me një organizim të ri të shtetit, organizim të resorëve ministrorë.
Ne duam që fillimisht ta kalojmë atë ligj, në mënyrë që Qeveria e re të zgjidhet brenda atij ligji dhe një organizimi të ri. Prandaj, duam dhe do të bëjmë përpjekje që së bashku me të gjitha partitë politike në Kuvend të biem dakord që ky ligj të jetë ndër të parët që do të paraqitet në seancë plenare.
Radio Evropa e Lirë: A mund të pritet që në atë paketë të futen ndryshimet ligjore që të pamundësojnë zgjedhjet e parakohshme për kryetarë komunash në ato komuna ku kryetarët e tyre do të bëhen ministra apo deputetë?
Afrim Gashi: Po, dhe kjo është një nga çështjet e ndjeshme. Ne dëshirojmë ta zgjidhim atë, nëse gjejmë një zgjidhje ligjore që është brenda kornizës së Kushtetutës dhe ligjeve dhe në interes të qytetarëve, tani jemi përballë sfidës që të kemi drejtues komunalë që do të zgjidhen vetëm për 5-6 muaj, dhe pas 7-8 muajsh të ketë sërish zgjedhje.
Unë mendoj se kjo nuk është e drejtë dhe mendoj se është kundër Kushtetutës të zgjedhësh dikë për një mandat 4-vjeçar, dhe të zgjedhësh dikë me të njëjtat vota, në të njëjtat zgjedhje, të zgjidhet për një mandat 8-mujor. Mendojmë se nuk është kushtetuese dhe duhet korrigjuar një ligj bazuar në Kushtetutën.
Radio Evropa e Lirë: A e keni shumicën prej dy të tretash, apo 80 vota, për këto ndryshime ligjore që dëshironi t’i kaloni në ditët e para të punimeve të Kuvendit, duke ditur se jeni zgjedhur me 76 vota?
Afrim Gashi: Prandaj po ju them se në periudhën e ardhshme do të mundohem ta udhëheq Kuvendin në bashkëpunim me të gjitha partitë politike. Ne nuk do të veprojmë vetëm si shumicë në Kuvend. Dua që me të gjitha partitë politike të jenë në Kuvend të veprojmë bashkërisht dhe në interes të qytetarëve.
Radio Evropa e Lirë: Nga cilat parti më të vogla politike apo ndoshta deputetë prisni mbështetje, pra të kalojnë në shumicën parlamentare, pasi partnerët tuaj të koalicionit tashmë po dalin publikisht me numra të caktuar, tre-katër deputetë të BDI-së, LSDM-së, PRSD-së.
Afrim Gashi: Ju tashmë po më pyesni në një cilësi tjetër. Kam dhënë dorëheqjen si kryetar i Alternativës. Unë do t’i përkushtohem plotësisht Kuvendit. Më intereson në radhë të parë Parlamenti.
Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) u largua nga seanca në të cilën ju u zgjodhët kryetar. A prisni që BDI-ja, në një të ardhme të afërt, ta bllokojë punën e Kuvendit?
Afrim Gashi: Unë mendoj se BDI-ja është një nga partitë politike që ka qëndruar në pushtet për një kohë të gjatë pa ndërprerje, 22 vjet, dhe mendoj se kanë përvojë dhe e dinë që nuk duhet të bllokohen. Por, është një vendim politik i tyre, dhe është e drejtë demokratike e tyre se si do të veprojnë. Unë dhe të gjithë mendojmë se duhet t’i respektojmë vendimet e partive politike. Të mira apo të këqija, të drejta apo të padrejta, qytetarët do ta thonë në zgjedhjet e ardhshme.
Radio Evropa e Lirë: Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, ka thënë se është ndier “i fyer” dhe se nuk ka mundur të qëndrojë në një seancë të tillë ku është cenuar legjitimiteti i votës së shqiptarëve. Cili është vlerësimi juaj për këto pretendime?
Afrim Gashi: Është vlerësim politik i liderit të një koalicioni politik, i cili ka dalë nga zgjedhjet. Ne të gjithë e dimë se ai koalicion ka qenë multietnik.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka qenë një prej atyre partive, por aty kanë qenë nëntë parti dhe ata, si të them, me krenari e kanë proklamuar multietnicitetin e atij koalicioni.
Kështu që, nuk mund edhe të kërkosh vota nga të gjitha komunitetet dhe pastaj të thirresh në legjitimitetin e shqiptarëve.
Shqiptarët kanë pasur një koalicion me të gjitha partitë politike shqiptare, i cili ka qenë koalicioni VLEN që ka marrë 107 mijë [vota] dhe unë mendoj se edhe numri i deputetëve dhe numri i votave është argument i mjaftueshëm për të dëshmuar legjitimitetin e përfaqësimit të shqiptarëve në Parlament dhe në Qeverinë e ardhshme.
Radio Evropa e Lirë: Koalicioni VLEN ka bashkëpunim të ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa deputeti i zgjedhur, Bekim Qoku, është anëtar i partisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Kjo kishte shkaktuar reagime për ndërhyrje në zgjedhje. Si e vlerësoni mbështetjen e tij për koalicionin VLEN?
Afrim Gashi: Ne kemi raporte të mira me të gjitha subjektet politike edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Por, edhe në rajon. Natyrisht, është botërisht e ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë hapur dhe e ka përkrahur koalicionin VLEN. Njëri nga eksponentët e Vetëvendosjes që është nga Maqedonia e Veriut, z.Bekim Qoku ishte në listën për deputet dhe është zgjedhur si deputet i këtij koalicioni.
Kështu që, raporti ynë s’do mend se është i afërt dhe mendoj se Vetëvendosja ka përkrahur një thirrje të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që janë simpatizues të Vetëvendosjes e që janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut e që e kanë dashur ndryshimin te shqiptarët në këtë vend.
Unë mendoj se Vetëvendosja dhe zoti [Albin] Kurti i janë përgjigjur kësaj ftese të madhe të shqiptarëve opozitar për një ndryshim dhe për një rrotacion politik.
Nuk është kjo një mbështetje në bllok për vetëm për një strukturë politike, por më shumë është një nevojë për ndryshim që e kanë ndier edhe shqiptarët në përgjithësi, por sidomos votuesit dhe simpatizuesit e Vetëvendosjes që janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut.
Radio Evropa e Lirë: Si do ta përmbushni premtimin tuaj programor që deri në fund të vitit 2024 do të përfshihen bullgarët në preambulën e Kushtetutës?
Afrim Gashi: Nuk e di saktësisht nëse kemi caktuar një datë, por është ende një çështje që varet nga 80 deputetë. Duhet të gjenden 80 deputetë. Sa i përket koalicionit VLEN, mendoj se të gjithë deputetët shqiptarë do të votojnë për ndryshimet kushtetuese kur vendosen në rend të ditës.
Kështu që, ne do të angazhohemi për atë parim, do të angazhohemi për integrimin sa më të shpejtë të vendit tonë në Bashkimin Evropian, por e dimë që është një çështje komplekse dhe të gjithë së bashku do të punojmë për ta bërë atë sa më shpejt të jetë e mundur.
Radio Evropa e Lirë: Në lidhje me pikëpamjet tuaja, paketa e ndryshimeve kushtetuese, kur bëhet fjalë për, siç thoni ju, përfshirjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës, a do të përfshijë kërkesën tuaj për heqjen e përkufizimit të gjuhës shqipe si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullsisë. Në të njëjtën paketë, kur të hapet Kushtetuta për këtë, a pritet që të futet edhe kjo?
Afrim Gashi: Nëse ju kujtohet, ne si Alternativë kemi kohë që luftojmë publikisht për një tjetër amendament kushtetues, që ka të bëjë me mosvjetërsimin e veprave të korrupsionit politik.
Ne do të angazhohemi për këtë, nëse hapet Kushtetuta, natyrisht edhe për atë që ju bëtë si pyetje, për riformulimin e formulimit fyes për gjuhën shqipe, në mënyrë që të flasim hapur me të gjitha partitë politike dhe presim mirëkuptim, pasi ne, si shqiptarë, duam që gjuha jonë në Kushtetutë të quhet ashtu siç është. Por, le të shohim, të fillojmë procedurën, të hapim debatin.
Radio Evropa e Lirë: A keni ndonjë marrëveshje paraprake me partnerin tuaj të ardhshëm qeverisës të koalicionit për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe përfaqësimin në Kushtetutë?
Afrim Gashi: Gjithçka për të cilën kemi rënë dakord, e kemi thënë publikisht dhe në mënyrë transparente.
Radio Evropa e Lirë: A do të largoheni nga koalicioni qeverisës nëse deri në Vitin e Ri, siç e keni paralajmëruar më parë në programin tuaj, nuk miratohen ndryshimet kushtetuese dhe bllokohet rruga e integrimit evropian?
Afrim Gashi: Ne po përpiqemi të ndërtojmë institucione dhe të bëjmë një qeveri, jo të mendojmë largimin. Mbetet prioriteti ynë i parë si shtet dhe si përfaqësues të partive politike dhe të shqiptarëve, që të angazhohemi për integrimin sa më të shpejtë të vendit në BE. Ne e dimë që tani për tani është kjo është e kushtëzuar me ndryshime kushtetuese, por edhe kjo është pjesë e dialogut, por edhe nga, siç e dini, konteksti politik me fqinjët dhe skenën ndërkombëtare. Ka zgjedhje në Parlamentin Evropian në qershor, ka zgjedhje në Shtetet e Bashkuara.
Ne presim që sa më shpejt të ketë mirëkuptim të plotë për këtë, nga të gjithë aktorët, sepse kjo nuk është, si të themi, një mosmarrëveshje bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë.
Këtu janë disa faktorë dhe të gjithë duhet të jemi në tryezë që ta heqim këtë problem nga tryeza politike.
Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja dhe BE-ja bënë thirrje për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare pas betimit të presidentes Gordana Silanovska-Davkova, e cila nuk e ka përdorur, gjegjësisht nuk e përdor emrin kushtetues Maqedonia e Veriut, dhe ka njoftime të tilla nga kryeministri i ardhshëm. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
Afrim Gashi: Qëndrimi ynë është se duhet të përdoret emri kushtetues – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ne do ta përdorim atë emër.
Radio Evropa e Lirë: A janë prishur tashmë marrëdhëniet me Greqinë dhe Bullgarinë, pra me fqinjët tanë?
Afrim Gashi: Nuk besoj se janë rrënuar. Mendoj se duhet të flasim. Mendoj se për këtë arsye duhet ta formojmë sa më parë Qeverinë, ta vendosim komunikim me ato shtete. Ashtu siç na duhet dialog i brendshëm për t’i zgjidhur problemet, na duhet dialog intensiv me vendet fqinje.
Radio Evropa e Lirë: A do të bisedoni me partnerin tuaj të koalicionit, VMRO-DPMNE, lidhur me këto çështje pas deklaratës së fundit të kryeministrit grek?
Afrim Gashi: Ne tashmë jemi në proces të krijimit të Qeverisë së re. Ai proces duhet të përfundojë dhe më pas dialogu të zhvillohet institucionalisht.
Çdo kryetar do të mbajë përgjegjësinë e tij. Kryeministri, ministri i Jashtëm, presidenti i shtetit. Nëse si kryetar i Kuvendit mund të ndihmoj, sigurisht që jam në dispozicion dhe do të doja të kontribuoja në zgjidhjen e sa më shumë problemeve, e jo për të krijuar probleme./REL