Neuropediatrja Migena Kika dhe fizioterapistja Ledina Nikolla ishin të ftuara mëngjesin e kësaj të enjteje në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Ato u ndalën gjerësisht tek fizioterapia tek fëmijë, cilat janë shenjat e para dhe kur nuk duhet neglizhuar. Duke marrë me radhë moshën dhe shenjat tipike që tregojnë nevojën për fizioterapi, ekspertet u ndalën dhe tek ecja e fëmijëve në majë të gishtave.

Mjekja Migena Kika tha se ecjen e fëmijëve në majë të gishtave shumë prindër e lidhin me spektrin e autizmit, por në fakt ka dhe disa arsye të tjera. Sipas mjekes ecja në majë të gishtave mund të jetë një shenjë e paralizës cerebrale, një kontraktim i muskujve, por dhe një problematikë që lidhet me neuro-zhvillimin e fëmijës.

“Në fakt duke e lidhur këtë pjesë me steriotipet e autizmit një pjesë e prindërve janë shumë të shqetësuar dhe e quajnë një problem madhor këtë pjesë. Ecja në majë të gishtave mund të ketë shkaqe të ndryshme. Mund të jetë një fëmijë me një zhvillim neurologjik tipik, pra mund të ndodhë në normë pa ndonjë problematikë të mundshme. Mund të jetë një shenjë e hershme me paralizë cerebrale spastike për shkak të muskujve që kemi ne tek pupla. Kur këto muskuj qëndrojnë gjatë gjithë kohës të kontraktuar, vetë pozicioni i këmbës poshtë nuk mund të jetë në një pozicion ashtu siç duhet, i mbështetur në tokë, por qëndron gjatë gjithë kohës i mbështetur në majë të gishtave, në pjesën dërrmuese në 80-90% të rasteve. Ama mund të kemi dhe fëmijë që janë neurodivergjentë, me spektrin e autizmit apo me problematika të tjera, që e bëjnë ecjen në majë të gishtave në sajë të kuadrit të një problematike të neuro-zhvillimit që ata mund të kenë. Sigurisht që diagnozat diferenciale në këto raste i bën neuropediatri për të vendosur nëse bëhet fjalë për një patologji apo jo patologji”, tha mjekja.

Migena Kika tha gjithashtu se në rastet kur fëmijë ecën me majë të gishtave për një periudhë të gjatë kohë, për më shumë se 6 muaj nuk duhet neglizhuar nga prindërit, por duhet një kontroll me neuroperdiatrin./tvklan.al