Lajme Arkiva 2003
Në prag të ngritjes së komisionit hetimor parlamentarë për Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës për Partinë Demokratike sfida kryesore do të jetë mbledhja e dokumentacionit për të realizuar qëllimin final të demokratëve. Në parashikimin e liderit të opozitës Sali Berisha ky është shpërdorim i fondeve nga kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama dhe lidhjet e tij sipas Berishës me krimin ekonomik në rajon.
Sali Berisha: Mbledhja e materialeve, sistemimi i dosjes së Edvinit, provimi i falsifikimeve që po bëjnë Albanët me Gonxhet, është një kontribut real shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar. E kemi thënë edhe e themi kjo është një betejë shumë e vështirë, por beteja më jetike për shoqërinë shqiptare. U kërkoj televizioneve hapuni sa më shumë për monologjet e Edvinit, sepse ato janë me të vërtet përmbajtja e tij.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të demokratëve zoti Berisha ka vlerësuar si çështje të rëndësishme edhe zbulimin e autorëve të atentatit ndaj profesor Ylli Pangos.
Sali Berisha: Është e sigurt që ky është akt i kësaj qeverisje. Akt i shëmtuar ndër më të shëmtuarit, i llogaritur për të mbyllur një zë të fuqishëm jo konformist. Ylli Pango aq sa ka qenë kritik i qeverisjes dhe i pushtetit të Partisë Demokratike aq ka qenë kritik ndaj qeverisjes dhe pushtetit të Partisë Socialiste dhe në kuptimin më të mirë të fjalës është një intelektual jokonfromist.
Deputetët demokrat pritet të thërrasin për raportim në Komisionin e Rendit, ministrin Luan Rama, shefin e Shërbimeve Sekrete Kujtim Hysenaj ndërsa në komisionin e ligjeve kryeprokurorin Theodhori Sollaku./tvklan.al