Florian Grainca është shqiptari i parë që lidhet me emisionin “Opinion” në Tv Klan për të ndarë historinë e tij të emigrimit. Grainca është 51 vjeç, nga Shkodra dhe prej 10 vitesh jeton në Osaka të Japonisë ku punon  si kuzhinier.

Ai e nis komunikimin e tij me gazetarin Blendi Fevziu me humorin karakteristik shkodran që e shoqëron përgjatë rrëfimit të tij. Floriani ka emigruar ende pa mbushur 19 vjeç fillimisht drejt Greqisë, më pas në Itali, është rikthyer në Shqipëri, ka qenë në SHBA dhe tani jeton në Osaka ku duket se ka gjetur jo vetëm rehatinë, por edhe dashurinë.

Florian Grainca: E para, s’kam marrë pushim, por kjo ishte lotaria. 

Blendi Fevziu: Ah ishte lotari.

Florian Grainca: Duhet të isha pushim të martën dhe puna ime është gjithmonë që mbaron në 11:30-12 të natës, sa bën një dush, sa qetësohesh, sa shikon një çikë Klan Tv, sa shikon një çikë këtej e andej dhe zakonisht në orën 3-4 të mëngjesit fle gjithmonë. Puna fillon në 2 të drekës.

Blendi Fevziu: Florian, nga cila zonë e Shqipërisë je?

Florian Grainca: Tani të flas si më ka lindur nana, jam shkodran.

Blendi Fevziu: Jo, jo ti si të ka lindur nëna fol se po fole si në Japoni na more në qafë. Ti fol fiks siç të ka lindur nëna.

Florian Grainca: Unë kam lindur në Shkodër më datë 21 prill të ’72-shit, domethënë këtë prill unë bëj 52 vjeç si i ka fal Zoti.

Blendi Fevziu: Po si ike nga Shqipëria?

Florian Grainca: Kam pasur një nënë mësuese, një baba mësues, na kanë rritur me edukatën e mirë, filloi demokracia, u lëshuam si hithrat e egra në liri dhe dola së pari në Itali.

Blendi Fevziu: Në ça viti ike në Itali?

Florian Grainca: Me ta thënë tamam drejt, së pari kam qenë në Greqi…

Blendi Fevziu: Nga mali do kesh ikur.

Florian Grainca: Nga mali kam kaluar.

Blendi Fevziu: Sikur ta dija!

Florian Grainca: Kam mbushur 19 vjeç në Gjirokastër duke pritur të kaloja kufirin.

Blendi Fevziu: Në Gjirokastër duke pritur të kaloje malin ë?

Florian Grainca: Më ka shoqëruar mamaja, kam kaluar në Greqi, më ka pritur daja, nga Greqia kam kaluar në Itali, kam bërë 24-25 vjet jetë atje.

Blendi Fevziu: Më fal, je larguar në ‘91?

Florian Grainca: Në ‘90.

Blendi Fevziu: Paske 34 vjet jashtë. Ia kaloke dhe Turit!

Florian Grainca: Pata një moment që u ktheva në Shqipëri, u ktheva në vitin 2004, sepse thonë italianët “muogli e buoi dai paesi tuoi”, e provova dhe atë ëndërr.

Blendi Fevziu: Edhe?

Florian Grainca: Edhe më doli mali e bullica, jo “muogli e buoi” kështu që mbaroi ajo ëndërr…

Blendi Fevziu: Sa vjet ndenje në Shqipëri?

Florian Grainca: Në Shqipëri eca mirë hapa 2 biznese të fuqishme por në vitin 2010 u largova mbrapsht.

Blendi Fevziu: Po pse u largove kur kishe 2 biznese të fuqishme? Do jesh zënë me gruan.

Florian Grainca: Ndarja të shkakton trauma dhe kishim një djalë në mes. Nëse e mban mend në atë kohë,  pak a shumë filloi ajo kriza “black hole real estate of America”. Filloi ajo kriza amerikane që mungonte leku gjithkund.

Në Itali, Floriani hapi një restorant në vitin 2012, por pas kostove të larta dhe situatës së vështirë,  vendosi që ta mbyllte biznesin. Nga aty, erdhi mundësia për në Japoni.

Florian Grainca: Isha mu në zemër të Bolonjës dhe isha me një miken time në Japoni që më tha hajde shihe. Kisha në mendje të kthehesha dhe njëherë në Amerikë. Kam qenë në Amerikë, në Nju-Jork.

Blendi Fevziu: Ti nuk paske ndonjë vend ku s’paske qenë. Në Greqi, në Itali, kthyer në Shqipëri, në Amerikë.

Florian Grainca: Është e tmerrshme, ku s’kam qenë por vendet e mira janë ato ku me nder, menderi të rri rehat.

Blendi Fevziu: Dhe ku të ndenji rehat ty?

Florian Grainca: Në Japoni. Është shteti më rigoroz, është shteti më i egër.

Blendi Fevziu: Po ku rri dot shkodrani me kaq rigorizitet?

Florian Grainca: Kam jetuar në veri të italisë, në Dolomiti janë komplet gjermanë. Dolomitasit e Italisë janë njerëzit më të ftohtë që mund të shohësh, s’të pranojnë, thjesht sa të të njohin mirë dhe të fusin në familje. Japonezët janë edhe më të egër dhe më të ftohtë. Kur ta shohin zemrën, kru t’i shohin muskujt e krahët e ç’iu jep ti atyre. jo ta japin dorën, por ta hapin shtëpinë komplet.

Blendi Fevziu: Ke 10 vjet në Osaka.

Florian Grainca: Kam jetuar 4 vjet në Kioto dhe e dashuroj Kioton sepse Blendi ju keni qenë gjithkund në botë, edhe në Tokio , por s’keni parë ish-kryeqytetin e Japonisë, është Kioto.

Blendi Fevziu: S’e kam parë, e vërtetë. E pranoj gabimin.

Florian Grainca: Mban vlerat e vërteta të Japonisë.

Blendi Fevziu: Tani je dashuruar me Kioton apo je dashuruar edhe me ndonjë japoneze?

Florian Grainca: O zemra!

Blendi Fevziu: Shih shih, e paska aty!

Florian Grainca: Pse? Jemi dashuruar fort madje. Kjo është shoqja ime, është kryeinfermiere.

Blendi Fevziu: Urime dhe interesante. Si u bëre kuzhinier?

Florian Grainca: A e di sa kollaj është jeta?

Blendi Fevziu: Hë?

Florian Grainca: Ti si u bëre një gazetar kaq famoz? Se ti kishe lindur për marrëdhënie njerëzore. Po unë?

Blendi Fevziu: Kishe lindur për kuzhinier.

Florian Grainca: Unë di 6 gjuhë të huaja. Jo, unë linda fëmijë profesorësh. S’dija të fërgoja një vezë.

Blendi Fevziu: Hë mo, vezën ta fërgoj unë se atë e di.

Florian Grainca: Nëna gatuante, mamaja gatuante, i shihja dhe duhet të gatuaja për vete. Ç’bëri nëna, kam filluar si kamarier, duke larë makina, por gjithmonë kam gatuar në shtëpi për vete, kam punuar nëpër lokale, varet sa përqind e përdor trurin tënd për dashurinë tënde.

Blendi Fevziu: Tani më fute në të thella. Kush është pjata më e mirë që gatuan ti në Osaka?

Florian Grainca: Dëgjo, ti e di prej nga jam.

Blendi Fevziu: Prej Shkodre.

Florian Grainca: Tana i ban. Ç’të duash, ta heq truri Naçja./tvklan.al