Emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur në zonën e Kombinatit për problemin e shtëpisë së qytetarit Fatmir Shaqiri, i cili prej vitit ‘85 ka marrë një apartament. Pas shumë peripecive ai ka marrë vërtetim pronësie në vitin 2001 në emër të tij dhe bashkëshortes. Por së fundi, nuk arrin të pajiset me certifikatë pronësie, pasi apartamenti i tij me nr. 45 është regjistruar në emër të komshinjve, familjes Dema. 

Fatmir Shaqiri: Unë në vitin ’85 kam marrë autorizimin e kësaj banese. Jetoj në këtë banesë me gruan dhe dy vajzat e mia. Në vitin ’93 unë kam bërë një deklaratë ku i lejoj prindërit e mi të jetojnë në këtë banesë dhe të mirëmbajnë banesën. Prindërit e mi janë futur në privatizim. Megjithatë motrat dhe vëllezërit kanë bërë një gjyq. Janë dakordësuar që kjo pronë është e familjes time.

Gazetarja: Pra u prodhua vërtetimi hipotekor, dokumenti i pronësisë në emrin tuaj dhe të bashkëshortes. Është momenti që pas ndryshimeve në legjislacionin shqiptar të pajiseshit me certifikatë pronësie.

Fatmir Shaqiri: Me certifikatën e re. Nuk arrita dot…

Gazetarja: Pse, çfarë ndodhi?

Fatmir Shaqiri: Arsyeja është se certifikata ime ndodhet në familjen Dema.

Gazetarja: Pra është prodhuar një certifikatë pronësie me të dhënat e apartamentit tuaj, por në emër të familjes Dema.

Fatmiri tregoi, se nuk ka bërë asnjë ndryshim, përveç mirëmbajtjes së apartamentit. Përsa i takon raporteve me komshinjtë, jo vetëm që janë shumë të mira, por edhe arsye, pse nuk ndërron shtëpi.

Fatmir Shaqiri: Kjo banesë ndodhet në rrugën Hamdi Cenojmeri, pallati 177, shkalla 4, apartamenti 45. Kjo banesë ka që nga viti ‘85 që disponohet nga familja ime.

Gazetarja: Në fakt ne zoti Fatmir kemi në dorë pikërisht certifikatën e pronësisë të komshiut, lëshuar në vitin 2012 ku janë Hurma, Enrik dhe Elida Demo. Dhe pikërisht për apartamentin 45 është prodhuar kjo certifikatë pronësie. Kjo ka qenë arsyeja pse ju nuk keni mundur të pajiseni me certifikatën e pronësisë për këtë apartament, pavarësisht të gjithë informacionit të saktë që ju na dhatë sepse ka më shumë se 10 vite që në fakt kemi një certifikatë të prodhuar për këtë apartament në mënyrë të gabuar, të pasaktë.

Fatmir Shaqiri: Ne këtu nuk kemi pasur asnjë lloj ndryshimi, vetëm kemi bërë një riparim të shtëpisë. Është 1+1. Që nga fillimi ne kemi pasur këtë adresë dhe akoma këtë adresë kemi. Familja Dema është kjo këtu.

Gazetarja: Ndërkohë si i keni marrëdhëniet me komshitë?

Fatmir Shaqiri: Unë i kam marrëdhëniet shumë të mira me komshinjtë. Unë nga ajo edhe nuk kam arritur ta shësë shtëpinë vetëm prej komshive.

Gazetarja: Se thonë mos na sill tjetër këtu…

Fatmir Shaqiri: Jo vetëm mos na sill tjetër, por nuk na ndahet shpirti nga ju.

Pas komunikimeve me organet kompetente në Kadastër gazetarja e “Stop” shkoi në banesën e zotit Fatmir Shaqiri ku ju komunikoi lajmin e mirë lidhur me banesën e tyre.

Fatmir Shaqiri: Si je, si kalon?

Gazetarja: Si kalove ti? Edhe unë kam ardhur me lajme të mira. Me dy aplikime që do të bëni do sistemohet. Problemi ka ardhur që nga momenti i privatizimit. Gabimi është bërë që atëherë. Por që do të sistemohet nga agjencia e Kadastrës.

Gruaja: Të keqen nëna ty, ta bëftë Zoti dritë ty jetën tënde.

Gazetarja: Dhe ju ta keni jetën e gjatë.

Gruaja: Faleminderit o zot i madh.

“Stop” bisedoi me komshinjtë, me të cilët ka ndodhur ngatërresa, dhe kjo pasuri, do të sistemohet, duke korrigjuar certifikatat e familjeve Shaqiri dhe Dema. 

Gazetarja: Si je?

Fqinja: Mirëse erdhe. Ua marshallah sa e mirë qenka kjo. Hajde mirë se erdhe.

Gazetarja: Ne ishim të enjten këtu dhe unë e pyeta Fatmirin se ngaqë është ky problem i apartamentit dhe e pyeta Fatmirin se si i keni marrëdhëniet me njëri-tjetrin, se mos ka pretendime komshiu për apartamentin tënd?

Fqinja: Ua qyqa ne kemi kaq vite, jo jo jo. Asnjë gjë. Kur e nxorra unë më thanë e ke 45. Ngela unë, nuk e dija.

Gazetarja: Në fakt duhet ta kishe 46…

Fqinja: Po 46 e kam gjithandej, për çdo gjë.

/tvklan.al