Përshëndetje të dashur lexues të Tvklan.al 👋
Kuvendi ka nisur prej orës 10:00 një seancë maratonë ku do të diskutohet projektbuxheti i vitit 2025. Deri më tani kemi dëgjuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama. Ai njoftoi një plan të ri për pensionistët.
Sipas tij, për të gjithë ata që e kanë pensionin deri në 200 Euro, do të ketë rritje të bonusit me 150 Euro. Ndërsa për pjesën tjetër që e kanë më të lartë se aq, do të dyfishohet bonusi në krahasim me vitet e shkuara.
Përpos atij të fundvitit, Rama ka njoftuar këtë të hënë se qeveria do mundësojë bonusin e pranverës.
Nga ana e Partisë Demokratike deklaratat e kryeministrit Edi Rama janë konsideruar si tallje ndaj qytetarëve. Ndërkohë Bardhi akuzoi Ramën se vendimi për bonusin është politik, në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
Të gjitha zhvillimet i gjeni në këtë raportim live të Tvklan.al, mjafton të shfletoni më poshtë.
A ka fond për rritje pensionesh? Debate mes palëve në Kuvend
Diskutime, por edhe debate me tone të ashpra mes palëve politike sa i takon projekt-buxhetit 2025. Kreu i grupit të PD Gazment Bardhi pyeti Ministrin e Financave Petrit Malaj se sa është fondi për rritjen e pensioneve në 2025-ën. Duke ritheksuar se sa do jetë masa e bonusit të fundvitit, Malaj nuk dha një shifër konkrete për rritjen totale.
Gazment Bardhi: Sa do të jetë fondi në total për rritjen e pensioneve në 2025-ën?
Petrit Malaj: Kemi kohë të përgjigjemi, kemi 48 orë.
Gazment Bardhi: Unë e kuptoj se ministri nuk e njeh procedurën parlamentare, nuk i vë faj se nuk është deputet, por ne jemi organi ligjvënës dhe nuk e ndryshojmë rregulloren sipas dëshirës së pushtetit ekzekutiv. Pyetja ime ishte konkrete, s’jam këtu për të dëgjuar fjalimin tuaj.
Elisa Spiropali: A mund të biem dakord që secili deputet të rreshtojë pyetjet e tij?
Petrit Malaj: Për bonusin e fundvitit u ezaurua mjaftueshëm qartë nga kryeministri dhe bonusi i parashikuar për vitin 2025 do ketë 100 mln euro fond në dispozicion. Në varësi të performancës ekonomike do çelet një llogari pranë BSH-së për bonusin e fundvitit 2025.
Më tej pati edhe një përplasje të ashpër verbale mes socialistit Toni Gogu e demokratit Bledion Nallbati.
Nis diskutimi për projektbuxhetin e vitit 2025. Në këto momente deputetët e opozitës po nisin me pyetjet e tyre drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj.
“Bonus fundviti sa një gjel deti”, Bardhi-pensionistëve: Mos u gënjeni!
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e ka cilësuar “klientelist” buxhetin e vitit 2025.
“Buxhet për oligarkë e klientë të qeverisë, jo për qytetarët që mezi ia dalin në 12 muaj! Cili është prioriteti i këtij buxheti, çfarë do ndërtojë Shqipëria me këtë buxhet? Cila është rruga që do shtrohet për të ardhmen e vendit? Asnjë!”, tha ai nga foltorja.
Ai u bëri thirrje pensionistëve që të mos gënjehen me premtimet e qeverisë, duke shtuar se ky bonus fundviti është ekuivalent me “një gjel deti”.
Bardhi-Ramës: Prit thonjtë, lahu dhe pastaj bëj kryeministrin e Shqipërisë
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ishte ai që i ktheu përgjigje kryeministrit Edi Rama në lidhje me bonusin e pensionistëve. Ai tha se bonusi është një shpërblim që çdo vend europian e jep në shenjë solidariteti. Por për Bardhin, Rama nuk e ka vjetor bonusin e fundvitit. Sipas tij, kreu i qeverisë e jep bonusin për efekt të zgjedhjeve.
Më tej shtoi se gjatë fjalës së tij Rama nuk tha asgjë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Megjithatë e paralajmëroi se nuk do të bien në kurthin e kreut të qeverisë. Këtu e kishte fjalën me retorikën e përdorur nga kryeministri drejt opozitës, ndërsa Bardhi tha se demokratët në parlament do të flasin për buxhetin e nuk do të bien në nivelin e tij.
“Në fakt do merremi me buxhetin se ndryshe nga këtu që je këtu për të sulmuar opozitën që të mbash me krimin e organizuar karrigen, ne jemi këtu për ti shërbyer qytetarëve. Prandaj nuk biem në nivelin tënd. Se kush është mbeturinë, se kush është i palarë, e se kush qelbet erë tre kilometra nga vendi që është atë e di çdo njeri që të ka takuar ty. Shko prit njëherë thonjtë, shko lahu, kurohu dhe pastaj hajde bëj kryeministrin e Shqipërisë”, tha Bardhi… Lexo më shumë
Pas fjalës së Nokës pati 2 minuta pushim. Arsyeja një kërkesë e Gazment Bardhit.
“Të pastrohet foltorja se nga nervat (Rama) e ka bërë pis zonja kryetare”, tha ai.
Noka-deputetëve socialistë: Rama u tall dhe ju e duartrokisni
Pas fjalës së kryeministrit në parlament ka folur Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka. Ai u ndal te reagimi i kolegëve socialistë gjatë fjalës së Ramës.
“Foli dhe fyeu mbetja e pariciklueshme e këtij vendi. Po ka turp më të madh. Kur isha i ri, shikoja plenumet e dikurshme të partisë tuaj, të gjithë në kor çoheshin në këmbë dhe duartrokisnin. Po ka neveri më të madhe se kjo që pamë sot këtu? Po si mund të dëgjojmë këtu gënjeshtra të paimagjinueshme? Është trefishuar buxheti, tha. Buxheti është trefishuar për hajudtët, se qytetarët Noc Rrokun kanë. U tall me pensionistët dhe ju e duatrokisni. Instituti i Sigurimeve Shoqërore që administroni ju, 26 përqind janë rritur pensionet deri tani. 34 përqind është rritur inflacioni. 8 përqind kanë të ardhura më pak pensionistët se në vitin 2013. Dhe ju e duartrokisni këtë mbeturinë të pariciklueshme?! Gënjeu, 50 mijë lekë ka qenë në kohën e Berishës bonusi i vitit të ri për pensionistët dhe rroga e 13-të. Ku e ka ky Noc Rroku shpërblimin e vitit të ri dhe rrogën e 13-të për administratën ky mashtrues? Foli për bonusin e bebeve, po mor po, se 60 përqind e bebeve sot lindin jashtë vendit. Prandaj kakaris ky para jush dhe ju çoheni dhe duartrokisni dhe të kujtoni atë kohë të largqoftit“, tha Noka.
Zgjedhjet 2025, Rama: Shqiptarët do të japin gjykimin më të mirë për këto mbeturina…
Teksa u ndal te rruga e anëtarësimit të vendit në BE, Rama u shpreh me bindje se vota e shqiptarëve në Maj 2025 do shkojë për Partinë Socialiste.
“Shqipëria që ne duam po bëhet, ne po e ngjisim në majën e 2030-ës, aty ku gjendet oborri i familjes së bashkuar europiane dhe ku flamuri ynë do rreshtohet krah për krah flamujve të botës. Shqipëria që duam nuk është më një realitet i ëndërruar, por realitet i prekshëm me sy dhe punë me të vetmen forcë qeverisëse që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë! PS-ja ka një vyrtyt, gjithmonë e më të fortë dëgjon, duron, lufton dhe në momentin e duhur ua kthen të tëra ashtu siç i meritojnë. Buxheti i parë në këtë sallë ishte pasqyra e një trashëgimie të errët. Buxheti i ri është pasqyra e një dekade arritjesh domethënëse, por edhe dritarja ku shihet rruga drejt destinaconit historik e për këtë shqiptarët, se ua kam thënë gjithmonë, mblidheni mendjen, se më keq do dilni herën tjetër…Pranverën e ardhshme do japin me vendimin e tyre një gjykim që do jetë më i miri historik për PS-në dhe më i merituari për këto mbeturina të një kohe që nuk do të kthehet më kurrë!”… Lexo më shumë
Buxheti 2025, kryeministri: 1.3 mld Euro fond për rritjen e pagave
Duke iu drejtuar shqiptarëve e përgjigjur akuzave të opozitës, kryeministri Edi Rama tha se trefishimi i bonusit të fundvitit vjen me buxhetin e këtij viti, jo atë të 2025-ës. Ai rreshtoi arritjet e qeverisë ndër vite në aspektin ekonomik.
Për rritjen e pagave, kreu i qeverisë tha:
E kemi nisur me një fond pagash afro 500 mln Euro dhe në buxhetin që do miratojmë fondi është 1.3 mld Euro! Kemi sot një pagë minimale 400 Euro dhe një pagë të përgjithshme 750 Euro... Lexo më shumë
Rama largohet nga Kuvendi pas përfundimit të fjalës
Pas përfundimit të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u largua nga Kuvendi. Deputetët e opozitës i kërkuan që të qëndronte në parlament.
“Ulu. Rri të dëgjosh”, i tha Noka.