Vendimi i një dite më parë i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike për të mos publikuar listat e anëtarësisë, me argumentin se janë të dhëna personale, ka sjellë reagimin e ashpër të Eduard Selamit.
Që prej nisjes së fushatës Selami e ka akuzuar kryetarin e vetëngrirë Lulzim Basha për pabarazi në garë. Përpara demokratëve të Elbasanit, Librazhdit, Belshit, Përrenjasit e Gramshit ai i kërkoi rivalit të tij në garë të bëjë transparente listat e anëtarësisë demokrate, duke hedhur dyshime se mospublikimi i tyre ka për qëllim manipulimin e zgjedhjeve të 22 korrikut.
“Hajde ta bëjmë sa më të mirë garën, që listat tona duhet të jenë transparente. Listat e votuesve të PD duhet të bëhen publike. Nuk janë bërë. Ne duhet t’i lëmë qytetarët, votuesit tanë dhe ata që s’janë anëtarë partie ta shikojnë se çfarë po ndodh këtu. Nuk jemi ne parti ilegale”, tha Selami.
Por kjo nuk ishte e vetmja akuzë që Selami adresoi ndaj kryetarit të vetëngrirë. Bazës demokrate i rrëfeu arsyen për të cilën Lulzim Basha garon pas disfatës në zgjedhjet e 25 qershorit.
“Në mënyrë fare të natyrshme ngrihet një pyetje: Kush është qëllimi dhe interesi kryesor i z.Basha? Rimëkëmbja e Partisë Demokratike apo mbajtja dhe ruajtja e postit të kryetarit? Kam frikë se është një pyetje që në mënyrë të sinqertë z.Basha nuk i pergjigjet dot”, theksoi kandidati për kreun e PD.
Për të treguar se në këtë garë nuk ka as barazi e as transparence, si shembull solli sërish mungesën e debateve të hapura për median e publikun nga ana e rivalit të tij, duke përsëritur se Basha ia kishte premtuar këtë kur nisi gara. TV KLAN