“Këto janë orët e ndryshimit të madh që kemi kohë që e presim, ky është shansi historik për t’ia rikthyer edhe një herë PD-në demokratëve”,
kështu shprehet kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Eduard Selami në një postim në rrjetet sociale.
Teksa në degët e Partisë Demokratike ka nisur votimi për kryetarin e ri, Selami u bën thirrje të gjithë anëtarëve që të votojnë, për të ringjallur, sipas tij, shpresën e demokratëve. Kandidati Selami e konsideron të rëndësishme pjesëmarrjen masive në votim për t’i dhënë PD-së një lidership bashkëkohor.
“Ky është momenti për të vendosur gjithsecili me votën e tij/saj, më të mirën që meriton familja e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Tani duhet votuar për të ringjallur shpresën për demokratët, për të djathtën e bashkuar dhe për të gjithë shqiptarët. Në këto orë është e rëndësishme të marrim pjesë masivisht në votim dhe sëbashku me votën e lirë të zgjedhim jo thjesht kryetarin, por modelin e ri të lidershipit bashkëkohor”.
Mbi 100 mijë anëtarë në të gjithë vendin zgjedhin sot mes Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit, për të vendosur se cili prej tyre do ta drejtojë Partinë Demokratike për 4 vitet e ardhshme. Votimi është hapur në orën 08:00 dhe do të mbyllet në orën 19:00./tvklan.al