Kërkimet për gjetjen e trupit të Ndriçim Myftarit, 18-vjeçarit nga Lushnja i cili rezulton i zhdukur pas tragjedisë së Butrintit kanë bërë të mundur gjetjen e 2 trupave të tjerë pa jetë që e çon kështu numrin e viktimave në 4. Policia nuk ka mundur të identifikoj viktimat, por dyshohet se dy të mbyturit janë shtetasit Festim Hoxha dhe Amarildo Kuka, të dy nga qyteti i Fierit. Identifikimi i saktë i tyre pritet të bëhet nga familjarët.
Baba i Ndriçimit i cili është thirrur për të identifikuat viktimat në morgun e Sarandës, ka konfirmuar se asnjëri prej tyre nuk ishte i biri i zhdukur. Gjetja e 2 trupave rrit dyshimet se në varkën e mbytur të dielën në ujërat e liqenit të Butrintit të udhëtonin më shumë se 26 persona, numri i saktë i tyre duket se do të mund të verifikohet vetëm nga dëshmitë e organizatorëve të këtij trafiku klandestinësh. Policia ka mundur të identifikoj personat e përfshirë në këtë rrjet ndërsa janë ndaluar 2 prej tyre.
Klodjan Branko: “Organizatorët, rekrutuesit, transportuesit dhe strehuesit e këtyre shtetasve që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme janë shtetasit: Dashamir Mane, Brahim Madhi, Hyqmet Sollaku, Albert Gega, Bashkim Sena, Ahmet Bushi. Për dy nga këta shtetas është bërë i mundur shoqërimi dhe arrestimi i tyre, për shtetasit e tjerë në kërkim janë ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për të mundësuar gjetjen e vendndodhjes së tyre dhe më pas arrestimin e tyre”.
Ndërkohë policia po vazhdon kërkimet për 18-vjeçarin nga Lushnja që konsiderohet të jetë zhdukur, kërkime të cilat kanë vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes së martë në tokë dhe në ujërat e liqenit të Butrintit janë ndërprerë për të vazhduar në agimin e ditës së mërkurë./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka