Shumë shpejt Shqipëria dhe Maqedonia do të nënshkruajnë një protokoll të përbashkët për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në drejtim të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp zëvendëskryeministren maqedonse Radmila Sekerinska, e cila ka zhvilluar një vizitë në Tiranë për të negociuar për nënshkrimin e këtij protokolli ministrja e Integrimit Ermelinda Meksi ka pranuar se vendi ynë ëshë disa hapa pas Maqedonisë në këtë proces.
Ermelinda Meksi: “Janë probleme institucionale që, siç mësova edhe më mirë gjatë këtij takimi, kanë qënë më mirë të organizuara në Maqedoni ku për problemet e integrimit qysh në ’96-n kanë patur një institucion në nivelin që kanë sot të zëvendëskryeministrit dhe të minsitrit që merret me problemet e rajonit dhe sigurisht probleme më pak të akumuluara, sesa ne në fushën ekonomike të investimeve të zhvillimit të infrastrukturës.”
Radmila Sekerinska: “Megjithatë zgjedhja është e jona. Nëse do ta shpenzojmë kohën, të zihemi ndërmjet nesh apo të komunikojmë me komisionin që mendoj që ëshë në mënyrë të barabartë jo efikase apo do të jemi të zgjuar dhe do të ulemi në një tavolinë të përbashkët dhe do të bëjmë një plan dhe se si këto kritika t’i përmirësojmë. “
Meksi dhe Sekerinska kanë pohuar se nënshkrimi i protokollit të bashkëpunimit dypalësh do të ndihmojë dy vendet tona për të përballuar vështirësitë që hasen gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. /tvklan.al