Shqipëria vijon të mbetet një destinacion i lakmuar si për turizëm, por edhe për investimet e huaja që vitet e fundit po njohin gjithnjë e më shumë rritje.  

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video kartolinë, e cila është përgatitur nga Agjencia Shqiptare e Investimeve dhe Zhvillimit, duke nënvizuar se vendi ynë i ka të gjitha mundësitë dhe potencialet e zhvillimit të qëndrueshëm.

“Një tokë ku e ardhmja ndërtohet jo vetëm mbi numra dhe statistika, por mbi ëndrra dhe aspirata. Një vend që nuk ekziston thjesht në hartë, por që frymon me mundësi të pakufizuara. Përfytyrojeni veten këtu duke u zgjuar në një vend të pasur me thesaret e natyrës, ku lumenjtë rrjedhin përmes luginave të bukura dhe dielli mbulon me flakë ari fushat bujqësore që shtrihen pafund. Burimet natyrore të Shqipërisë janë të pasura dhe gati për të ushqyer ëndrrat dhe vizionet tuaja. Minerale, energji dhe toka pjellore, që presin të mbjellin suksesin tuaj”, thuhet në videon e Agjencisë Shqiptare të Investimeve dhe Zhvillimit.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë në periudhën Janar-Shtator 2024 investimet e huaja direkte arritën në vlerën e 1.16 miliardë Eurove.

Klan News