Procesi gjyqësor në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të dyshuar të tij është shtyrë paraditen e sotme. Seanca duhet të kishte nisur në orën 09:00, por në sallën e gjyqit kanë munguar dy përfaqësuesit e akuzës, Elizabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi.

Mungesa e prokurores Ymeraj ishte paralajmëruar paraprakisht nga një shkresë e dërguar nga zëvendës kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Gent Osmani për shkak të angazhimit të saj në dosjen në ngarkim të grupit kriminal të dyshuar se drejtohej nga Moisi Habilaj.

Mungesa e përfaqësuesve të organit të akuzës ka sjellë reagimin e palës mbrojtëse, që e kanë cilësuar të paprecedentë këtë zhvillim dhe kanë kërkuar ndërprejen e procesit dhe lirimin e të pandehurve. Trupa e gjyqtarëve, nuk ka pranuar këtë kërkesë dhe ka shtyrë seancën e radhës për datë 31 Tetor.

/ABC News