Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Nehat Kulla është sjellë edhe sot nga qelitë e burgut Elbasan për në Gjykatën e Faktit Tiranë, por seanca në ngarkim të tij është shtyrë. Gjyqtari Ilir Mustafaji ka hapur seancën duke lexuar akuzat ndaj Kukllës, për vrasje, krijim bande të armatosur, rrëmbim personi, tentativë vrasje, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim dokumenti. Por për të dëshmuar për akuzat e ngritura ndaj Kullës, sot nuk është paraqitur në gjykatë asnjë nga 14 dëshmitarët e thirrur nga prokurori Bujar Hoxha.

Komandanti i togës së shoqërimit të gjykatës ka raportuar para trupit gjykues, se dëshmitarët kanë njoftuar se ndodhen jashtë Shqipërisë ose nuk janë gjendur në adresat e dhëna. Seanca është shtyrë dhe prokurori i çështjes ka kërkuar që dëshmitarët që ndodhen në Shqipëri të gjenden dhe të sillen me forcë në gjykatë për të dëshmuar./tvklan.al