Desada Metaj: “Është ndezur situate politike në Maqedoni për zgjedhjet parlamentare që do zhvillohen këtu ditën e diel në datën 1 qeveror, sigurisht që edhe lufta mes partive shqiptare vazhdon të mbetet e ashpër. Pikërisht këtu nga Tetova, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka deklaruar sot se do të japë dorëheqjen nga partia e tij në rast se Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk do të jetë partia e parë e shqiptarëve në zgjedhjet që do të zhvillohen këtu ditën e diel. Nga ana tjetër kryeministri Gruevski edhe një herë ka shprehur dëshirën e tij për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike të Shqiptarëve të Menduh Thaçit, në rast se do të jetë fitues i zgjedhjeve.”
Sondazhet e deri tanishme në Maqedoni paralajmërojnë se partia e Nikolla Gruevskit VRMO-DPMNE do të kryesojë në rezultatet e zgjedhjeve të 1 qershorit. Në bazë të tyre 31.3% e qytetarëve do të votojnë për këtë parti, duke i dhënë votëbesimin sërish kryeministrit aktual, i cili renditet si kryeministri më i votuar në sondazhe.
Për sa i përket partive shqiptare duket se BDI është më e preferuara me 9.1% ndërsa pas saj vjen PDSH me 5.6%. Shifrat flasin për një preferencë të theksuar për kreun e BDI-së Ali Ahmeti 9.1% ndaj liderit të PDSH Menduh Thaçi me 5.8%.
Desada Metaj: “Rreth 5 mijë vëzhgues do të ndjekin në zgjedhjet parlamentare, që do të zhvillohen ditën e diel në Maqedoni, një pjesë e mirë e tyre do të jenë të OSBE-së dhe të ODIHR-it, por do të ketë edhe vëzhgues të institucioneve të tjera të pavarura dhe kamerat tona do të ndjekin nga afër procesin zgjedhor dhe paszgjedhor këtu në Maqedoni. Nga Tetova për televizionin Klan, Desada Metaj.”/tvklan.al