Zjarri që preku fshatin Grapsh në bashkinë Dropull dhe fshatin Kardhikaq në bashkinë Finiq nuk përbën më rrezik për banorët dhe shtëpitë e tyre.
Ministria e Mbrojtjes njofton se situata është përmirësuar, ndërsa po punohet ende për vënien nën kontroll të flakëve pasi rreziku për riaktivizimim e vatrave vijon si pasojë e ndryshimit të shpejtësisë së erës.
Krahas helikopterit të ushtrisë që po hedh ujë nga ajri, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po punohet me forcat dhe automjetet zjarrfikëse të Dropullit, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Këlcyrës, Memaliajt, Finiqit, Sarandës, Himarës, Delvinës dhe Konispolit.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkoi edhe mbështetjen e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, nga i cili ofruan ndihmën e tyre 3 shtete. Pritet aktivizimi i dy avionëve nga Greqia, si vendi më afër vatrave të zjarrit.
Zjarri nisi të hënën në Frashtan të Dropullit, gjatë natës kaloi malin e gjerë dhe mëngjesin e kësaj të marte mbërriti në Qafë Muzinë.
Pavarësisht përpjekjeve të forcave zjarrfikëse, të helikopterit Cougar, efektivëve të ushtrisë dhe policisë, të favorizuara edhe nga era e fortë, flakët dogjën një pjesë të mirë të sipërfaqes me shkurre dhe pemtari në fshatrat e Dropullit, si dhe gjithë faqen e malit dhe paraditen e sotme zbritëm në afërsi të fshatrave të Finiqit dhe Delvinës.
Flakët zbritën edhe në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë e për pasojë për 30 min u ndërpre qarkullimi i automjeteve.
Policia njoftoi se ka arrestuar një 39-vjeçar si autor të dyshuar të zjarrvënies gjatë ditës së djeshme në fshatin Frashtan të Dropullit, i cili u bë burim për zjarrin që sot ka djegur një pjesë të mirë të bimësisë së Malit të Gjerë.
Tv Klan